Mbrojtësi i Man Cityt tallet për “Luftën e Tretë Botërore”, pendohet menjëherë

  • 08 January 2020 - 11:04
Mbrojtësi i Man Cityt tallet për “Luftën e Tretë Botërore”, pendohet menjëherë

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Aymeric Laporte, u tall në llogarinë e tij në Twitter për “Luftën e Tretë Botërore” mbrëmjen e së martës, mirëpo shpejt u pendua për këtë veprim dhe e fshiu “tweet-in”.

Mbrojtësi i lënduar Aymeric Laporte ishte aktiv në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, gjatë kohës sa skuadra e tij, Manchester City, po luante në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup kundër Manchester Unitedit.

Pas ndeshjes, ai e mori vëmendjen e tifozëve me një postim kontrovers në llogarinë e tij, duke u tallur për “Luftën e Tretë Botërore”. Më vonë, ai e fshiu këtë postim, mirëpo jo para se tifozët ta ruanin si fotografi.

“Kur të ftojnë për t’iu bashkuar ushtrisë #jo #WWII”, shkroi Laporte, mbi një video ku shihet ai duke sinjalizuar jo me dorë.

Manchester City do të shpresojë ta ketë sërish në skuadër Laporten sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi që 25-vjeçari është ende në proces shërimi nga lëndimi i tij i gjurit.

Por, mungesa e tij në skuadrën e Pep Guardiolës nuk u vërejt në ndeshjen e së martës kundër Manchester Unitedit, kur City fitoi me rezultat 3:1 në Old Trafford.

Bernardo Silva e kaloi Manchester Cityn në epërsi me një gol të bukur të shënuar nga largësia në minutën e 17-të, ndërsa 16 minuta më vonë epërsinë e dyfishoi Riyad Mahrezi. Nata e Unitedit u përkeqësua gjashtë minuta më vonë, kur Andreas Pereira shënoi autogol.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ishte më e mirë gjatë pjesës së parë. Marcus Rashfordi arriti ta zvogëlojë epërsinë e rivalit, mirëpo Manchester Unitedi prapëseprapë do ta ketë të vështirë ta përmbysë rezultatin në gjysmëfinalen kthyese, që zhvillohet më 29 janar në Etihad.

Ndërsa, për Pep Guardiolën kjo fitore ishte e rëndësishme pasi që Manchester City arriti t’i hakmerret Unitedit për fitoren 2:1 në takimin e tyre të fundit në Premierligës, në nëntor të vitit të kaluar. 

(Kosova Sot Online)