Përkundër situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, FIFA s’shqetësohet për Kupën e Botës

  • 10 January 2020 - 14:51
Përkundër situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, FIFA s’shqetësohet për Kupën e Botës

FIFA nuk ka shqetësime lidhur me sigurinë që mund ta ofrojë Katari gjatë turneut të Kupës së Botës 2022, përkundër situatës së tensionuar dhe aksioneve ushtarake në Lindjen e Mesme këtë muaj.

Qeveria britanike ka paralajmëruar për “situatë të tensionuar në regjion” pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani nga një sulm ajror të SHBA-së në Irak më 3 janar.

Dy ditë më vonë, Irani i gjuajti 22 raketa në dy baza ushtarake të trupave amerikane në Irak. Por, organi qeverisës i futbollit botëror mbetet plotësisht i bindur se Katari është në gjendje ta organizojë pa probleme turneun e Kupës së Botës.

“Nuk kemi asnjë arsye për të qenë të shqetësuar në këtë fazë”, u shpreh zëdhënësi i FIFA-s për Sky Sports.

Ai bëri të ditur se FIFA është vazhdimisht në kontakt me organizatorët e Kupës së Botës, përfshirë këtu edhe vlerësimin që ia bën sigurisë. Për momentin, FIFA s’po e shqyrton mundësinë ta zhvendosë turneun, me pretendimin se “Katari është ndër vendet më të sigurta në botë”.

Që nga qershori i 2017-ës, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrani dhe Egjipti i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike me Katarin, ndërsa kufiri mes Katarit dhe Arabisë Saudite është mbyllur. Gjithashtu janë suspenduar të gjitha fluturimet direkte nga Katari te shtetet e lartpërmendura dhe anasjelltas. 

(Kosova Sot Online)