Arteta s’pret shumë nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit

  • 10 January 2020 - 15:39
Arteta s’pret shumë nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka bërë të ditur se ai nuk pret që klubi i tij të jetë shumë aktiv gjatë këtij afati kalimtar të janarit dhe ka thënë se ai preferon të përqendrohet te lojtarët që i ka tashmë në skuadër.

Arsenali mbetet me mungesa të mëdha në disa reparte të lojës, veçanërisht në qendërmbrojtje dhe trajneri Mikel Arteta është i gatshëm t’i adresojë këto probleme.

Megjithatë, gjasat që Arsenali të shpenzojë shuma të larta parash janë të vogla dhe trajneri e ka theksuar se disa lojtarë që tashmë i ka në skuadër, si Hector Bellerin dhe Dani Ceballos, do të kthehen së shpejti nga lëndimet për të kontribuar në skuadër.

“Nuk po pres asgjë të madhe. Po pres gjëra të mëdha nga lojtarët që i kam për momentin, lojtarët që janë duke u shëruar nga lëndimet. Kjo është pritshmëria ime më e madhe”, ka thënë Arteta.

“Nëse ne mund ta gjejmë dikë që mund të na ndihmojë ta kalojmë sezonin në mënyrë më të baraspeshuar në disa reparte të lojës, atëherë ne do t’i shqyrtojmë opsionet tona”.

“Ne gjithmonë duhet të jemi në kërkim sepse natyrisht që i kemi pasur disa lëndime të rënda në skuadër dhe disa lojtarë do të mungojnë për periudha të gjata kohore. Ne duhet ta shohim nëse mund të gjejmë opsione”.

Në mesin e transferimeve në të cilat mund të përfshihet Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit është edhe sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang, i cili ende s’i ka filluar bisedimet për rinovimin e kontratës që i skadon më 2021.

Megjithatë, ai tentoi t’i heshtë këto spekulime, duke e shprehur përkushtimin e tij ndaj Arsenalit para fitores të së hënës kundër Leeds Unitedit.

(Kosova Sot Online)