Gjilani “ia tërheq veshin” Grecës: Ke kontratë me ne, tejkalove etikën

  • 10 January 2020 - 19:46
Gjilani “ia tërheq veshin” Grecës: Ke kontratë me ne, tejkalove etikën

Klubi i Gjilanit në IPKO Supreligën e Kosovës ka dalë me një qëndrim publik në lidhje me reagimin e sulmuesit Bedri Greca, i cili ka sulmuar në medie trajnerin Gentian Mezani, si shkaktarin për largimin e tij nga kjo skuadër.

Gjilani jo vetëm që i del në mbrojtje trajnerit vlonjat, po i kujton Grecës se është ende i lidhur me kontratë dhe nuk do të largohet deri në fund të sezonit.

Qëndrimi i Gjilanit

“Ditëve të fundit nëpër mediet shqiptare, lojtari Bedri Greca ka dhënë disa deklarata që në vete përmbajnë shumë të pavërteta, madje duke tejkaluar çdo etikë, me ç’rast i njëjti ka tentuar të njollosë punën e jashtëzakonshme që po e bën trajneri, Gentian Mezani.

SC Gjilani njofton mediet dhe gjithë opinionin publik se Bedri Greca edhe më tutje është lojtar i klubit tonë, sipas kontratës së vërtetuar në FFK, që është e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.

Bëjmë të ditur se klubi nuk ka asnjë obligim ndaj tij, ndërsa për shkeljet disiplinore dhe veprimet tjera deri te shkëputja eventuale e kontratës, klubi do ti drejtohet organeve kompetente në FFK.

SC Gjilani, Gjilan, 10 Janar 2020”.

(Kosova Sot Online)