Tottenham, pengesa e radhës e Liverpoolit në rrugën drejt titullit

  • 11 January 2020 - 10:21
Tottenham, pengesa e radhës e Liverpoolit në rrugën drejt titullit

Dicka më shumë se shtatë muaj nga finalja e Madridit në Champions, Liverpooli dhe Tottenhami do të përballen sërish, këtë herë në kampionat për sfidën e dytë të këtij edicioni në Premiership.

Një rivalitet që është ndezur akoma më tepër, sidomos pas duelit të mbajtur në Wanda Metropolitano, që u fitua nga “të kuqtë” me nga një gol për cdo pjesë nga Mohamed Salah dhe Divock Origi. Edhe atëherë klubi nga Merseyside ishte favorit për të ngritur trofeun “me veshë të mëdhenj”, megjithatë tani “the reds” janë akoma më shumë, duke marrë në konsideratë ecurinë stratosferike të ekipit të drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp.

Më datë 19 nëntor presidenti Daniel Levy shkarkoi Mauricio Pochettinon, që kishte marrë vetëm 14 pikë në 12 ndeshjet e para, për ta zëvendësuar me trajnerin me eksperiencë, portugezin Jose Mourinho, që për hir të së vërtetës ka bërë shumë më mirë, teksa ka grumbulluar 16 pikë në vetëm 9 ndeshje gjithsej.

Pavarësisht entuziazmit të fillimit trajneri luzitan është duke vuajtur ndjeshëm me skuadrën e tij të re, për shkak të dëmtimeve pa fund, apo qoftë edhe mangësive të shumta që ka gjetur në kontigjentin e grupit të futbollistëve aktualë.

Sikur të mos mjaftonin problemet aktuale, ku përveç të tjerave ka edhe futbollistë që janë në përfundim të kontratës e që nuk kanë aspak dëshirë për të rinovuar, në ditën e parë të vitit pikërisht në sfidën hapëse të 2020-s 56-vjeçari nga Setubali humbi gjithashtu edhe talismanin e skuadrës, 26-vjeçarin Harry Kane.

Kapiteni i ekipit, natyrisht në mungesë të portierit francez Hugo Lloris, që mungon gjithashtu për arsye dëmtimi, u operua njësoj si edhe mesfushori Moussa Sissoko, e të dy këta futbollistë do të qëndrojnë jashtë fushave të lojës minimalisht deri në muajin prill. Ekipi ka fituar vetëm 2 nga 12 ndeshjet e fundit pa “uraganin” Kane. Sulmuesi londinez kishte shënuar plot 27 gola në 31 ndeshjet e këtij sezoni, me “gjelat”, si dhe fanellën e përfaqësueses, por mbi të gjitha tani trajneri Jose Mourinho nuk ka më asnjë alternativë tjetër për ta zëvendësuar numrin 10 të ekipit. Në krahun tjetër trajneri Jurgen Klopp ka humbur për dy javë zëvendëskapitenin James Milner dhe nuk do të ketë gjithashtu as dy mesfushorët Fabinho e Naby Keita, ndërsa dyshja e qendrës që alternohet vazhdimisht në krah të holandezit Virgil van Dijk Matip-Lovren deri tani është zëvendësuar denjësisht nga 22-vjeçari Joe Gomez.

Vendasit e vuajtën së tepërmi ngjeshjen e kalendarit, teksa grumbulluan vetëm 4 pikë në 4 sfidat e fundit në kampionatin anglez, ndërsa të dielën e kaluar në Riverside “spurs” nuk shkuan përtej rezultatit 1-1 me Middlesbrough-n, barazim që e shtrëngon ekipin londinez për të luajtur një ndeshje shtesë për të kaluar mes 32 skuadrave më të mira në FA Cup. Në anën tjetër Liverpuli fitoi derbin e Merseyside-t, duke poshtëruar në njëfarë mënyre Evertonin e drejtuar nga trajneri veteran Carlo Ancelotti, sepse 52-vjecari shvab preferoi të rreshtojë në fushë një skuadër me moshë mesatare shumë të re.

Këtë herë pritet me interes gjithashtu edhe dueli në distancë ndërmjet dy trajnerëve. Mourinho ka fituar vetëm 2 nga 10 sfidat ndërmjet tyre dhe në karrierën e tij, duke llogaritur 114 trajnerët me të cilët është përballur më shumë se një herë, statistika më të dobëta trajneri luzitan ka vetëm me holandezin Ronald Koeman. Nga ana tjetër Tottenhami ka fituar vetëm 1 nga 14 përballjet e fundit me Liverpulin në Premier League, për më tepër “të kuqtë” u shpallën me diferencë klubi më i mirë i vitit 2019, Jurgen Klopp trajneri më i mirë në rruzull në këto 12 muaj, ndërsa Sadio Mane mundi shokun e tij të ekipit Momo Salah për të fituar çmimin e futbollistit më të mirë afrikan të vitit.

Barazimi 1-1 në Old Trafford me United përbën rastin e vetëm kur “të kuqtë” nuk kanë marrë pikët e plota në këtë edicion të kampionatit anglez, sidoqoftë është e kuptueshme që me epërsinë e krijuar Liverpuli është shumë shumë pranë titullit të parë në historinë e Premier League-s. The Reds kanë shkëlqyer në fare pak ndeshje në pesë muajt e parë të sezonit, gjithsesi Klopp ka ndërtuar një ansambël tepër praktik, që në një mënyrë apo një tjetër ia del pothuajse gjithmonë për të fituar çdo ndeshje. Takimi do të luhet në stadiumin e ri ultramodern të Tottenham-it në Londër, në orën 18:30 dhe do të drejtohet nga kryesori Martin Atkinson.

(Kosova Sot Online )