Mourinho pas humbjes nga Liverpooli: “Më të mirët në botë kundër ekipit në vështirësi”

  • 12 January 2020 - 09:08
Mourinho pas humbjes nga Liverpooli: “Më të mirët në botë kundër ekipit në vështirësi”

I zhveshur tashmë prej kohësh nga epiteti “Special One”, portugezi Jose Mourinho jo vetëm që i përulet Liverpoolit triumfues në përballjen e mbyllur 0-1, por njëherësh heq dorë përfundimisht nga objektivi i vetëm real që mund të supozohej: një vend në top-4 të Premier League.

“Ky është futbolli! Ndonjëherë merr më shumë sesa meriton. Herë tjetër merr më pak. Kjo është ajo herë kur nuk morëm asgjë, ndërkohë që meritonim diçka. Ishte ekipi më i mirë në botë kundër një ekipi në vështirësi, me dëmtime, në një moment të vështirë të sezonit. Djemtë ishin fantastik kur u përpoqëm të ndryshonim dhe krijonim probleme”, u shpreh Mou. 

Mbi hipotezën e prekjes së topit me dorë në aksionin e golit: “Nuk e pashë atë. Ajo që kam parë unë ishte që me 200% atë topin e parë për aksionin e golit e nisëm ne. Për këtë arsye jam i çoroditur me VAR”.

Në lidhje me përfundimin e sezonit në top-4: “Në llim të sezonit, kur të gjithë janë në kuotën e zero pikëve, atëherë është e mundur të flasësh për objektivin e të përfunduarit të kampionatit në vend të katërt. Por kur e nis sezonin me minus 12 pikë (diferenca në pikë që kishte Tottenham nga top-4 në momentin kur Mourinho mori drejtimin e Spurs-ave), atëherë ështe pamundur”, deklaroi Mourinho.

(Kosova Sot Online)