Man Unitedi arrin marrëveshje me mesfushorin portugez

  • 13 January 2020 - 08:45
Man Unitedi arrin marrëveshje me mesfushorin portugez

Manchester Unitedi ka arritur marrëveshje me mesfushorin portugez të Sportingut, Bruno Fernandesin, për një transferim gjatë janarit. Portugezit i është ofruar kontratë pesëvjeçare në Old Trafford.

Për ta arritur këtë marrëveshje u takuan agjenti i Brunos dhe përfaqësuesit e Manchester Unitedit disa herë gjatë ditëve të fundit.

Kontrata për të cilën janë marrë vesh dy palët do ta mbajë 25-vjeçarin në Manchester United deri më 2025.

Tani gjithçka që mbetet është pajtimi i klubit portugez për ta shitur futbollistin e vet. Mediumet angleze tashmë raportojnë se Manchester Unitedi e ka kontaktuar Sportingun dhe i ka treguar për dëshirën e futbollistit për të luajtur në Premierligë.

Klubi anglez do të tentojë të arrijë marrëveshje me klubin sa më shpejt dhe ta kompletojë këtë transferim pasi që i nevojiten përforcime në mesfushë, shkaku i disa lëndimeve.

(Kosova Sot Online )