Unitedit i shuhen shpresat për ta sjellë Brunon në kohë për ndeshjen me Liverpoolin

  • 13 January 2020 - 12:32
Unitedit i shuhen shpresat për ta sjellë Brunon në kohë për ndeshjen me Liverpoolin

Manchester Unitedi është i interesuar ta transferojë mesfushorin portugez të Sporting Lisbonës, Bruno Fernandesin, gjatë këtij muaji. Mirëpo, marrëveshja s’do të mund të arrihet aq shpejt sa për t’ia mundësuar portugezit të luajë kundër Liverpoolit.

Ole Gunnar Solskjaerit tashmë i janë shuar shpresat për ta pasur në dispozicion Bruno Fenarndesin për ndeshjen kundër Liverpoolit, pasi që Sportingu dëshiron ta mbajë mesfushorin në skuadër deri për derbin kundër Benficas.

Djajtë e kuq do të përballen me rivalët e  mëdhenj, The Reds, të dielën në Anfield, përderisa Manchester Unitedi mbetet skuadra e vetme në Premierligë që i ka marrë pikë Liverpoolit këtë sezon. 

Barazimi 1:1 në Old Trafford mes dy klubeve rivale në tetor është ndeshja e vetme, nga gjithsej 21, që Liverpooli s’ka arritur t’i marrë të tri pikët në dispozicion gjatë këtij sezoni në Premierligë. Tani Solskjaer do të tentojë t’ia shkaktojë Liverpoolit edhe humbjen e parë të sezonit.

Manchester Unitedi është aktualisht 27 pikë prapa Liverpoolit në tabelën, mirëpo ata shpresojnë që do të mundë ta zvogëlojnë këtë epërsi gjatë pjesës së dytë të sezonit me përforcime si portugezi, i cili këtë sezon i ka shënuar 13 gola e 13 asiste, ndërsa sezonin e kaluar e ka mbyllur me 32 gola dhe 18 asiste.

Portugezi pritet ta sigurojë transferimin në Angli për 65 milionë funte, pasi edhe verën e kaluar kishte qenë afër një transferimi të tillë falë interesimit të Manchester Unitedit dhe Tottenhamit.

Manchester Unitedi ka kohë vetëm edhe dy javë e gjysmë për të arritur marrëveshje gjatë afatit kalimtar të janarit, i cili do të mbyllet më 31 janar në orën 12:00 në mesditë.

(Kosova Sot Online)