Afrikani më i pasur kërkon ta blejë Arsenalin

  • 14 January 2020 - 11:00
Afrikani më i pasur kërkon ta blejë Arsenalin

Biznesmeni nigerian Aliko Dangote ka lënë të kuptohet se ai mund ta blejë Arsenalin në vitin 2021, nëse një numër i projekteve multimiliardëshe në kompaninë e tij kompletohen brenda afati kohor të paracaktuar.

62-vjeçari e kishte themeluar Dangote Group – konglomeratin më të madh në Afrikën Veriore – në vitin 1981. Ky konglomerat merret me prodhimin dhe përpunimin e një numri të produkteve, si: sheqer, çimento, oriz, miell e peshk.

Dangote vlerësohet se ka pasuri 9.9 miliardë euroshe dhe ai kishte qenë i përfolur për blerjen e Arsenalit edhe në të kaluarën, përderisa klubi londinez për momentin është nën pronësinë e Kroenke Sports & Entertainment.

Stan Kroenke është aksionari më i madh në Emirates, mirëpo Dangote mund të jetë në gjendje ta blejë klubin vitin e ardhshëm, pasi që kompania e tij pritet ta fillojë një projekt të madh gjatë këtij viti.

Njeriu më i pasur i Afrikës është duke u përqendruar në përfundimin e këtij projekti për momentin, mirëpo ai thotë se planifikon ta blejë Arsenalin më në fund, sapo të përfundojë projekti në Lekki të Lagos State.

“Arsenali është një klub që do të doja ta blija një ditë, por tani ne i kemi disa projekte në vlerë prej 20 miliardë dollarësh dhe unë dua të përqendrohem në këtë gjë për momentin”, ka thënë Dangote.

“Unë po tentoj ta përfundoj këtë projekt dhe pastaj, pasi të përfundojë ky projekt, ndoshta do të mundë ta arrijë qëllimin tim në vitin 2021”.

“Nuk do ta blej Arsenalin menjëherë, do ta blej Arsenalin kur t’i përfundoj këto projekte dhe kur ta ngre kompaninë time në një nivel më lart”. 

(Kosova Sot Online)