Klopp shpreson t’i kthehet treshja Matip-Fabinho-Lovren për ndeshjen kundër Unitedit

  • 14 January 2020 - 14:31
Klopp shpreson t’i kthehet treshja Matip-Fabinho-Lovren për ndeshjen kundër Unitedit

Jurgen Klopp thotë se Joel Matip, Fabinho dhe Dejan Lovren janë duke iu afruar kthimit në seanca stërvitore për Liverpoolin, para ndeshjes të së dielës kundër Manchester Unitedit në Anfield.

Trajneri gjerman ka mbetur me vetëm dy qendërmbrojtës në dispozicion – Virgil van Dijk dhe Joe Gomez – pas lëndimeve të Matipit dhe Lovrenit, përderisa Fabinho ka qenë duke munguar që nga fundi i nëntorit.

Shkaku i kësaj krize së lëndimeve, Nathanial Philipps është kthyer nga huazimi i tij në Stuttgart për vetëm 17 ditë, para se të huazohet sërish te klubi gjerman deri në fund të sezonit.

“Unë pres derisa ata të jenë gati për t’u kthyer në fushë dhe dikush të më tregoj se ata mund t’i bëjnë të gjitha stërvitjet bashkë me skuadrën”, ka thënë Kloppi, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Duket se Joel do të jetë gati, duket se edhe Fabinho do të jetë gati për pak ditë, nuk jam i sigurt. Dejan, ndoshta edhe ai do të mundë të luajë”.

“Kjo do të thotë shumë për ne dhe natyrisht se do të na ndihmojë shumë. Por, ne do ta shohim se si do ta shkojnë punët. Kjo javë është shumë e rëndësishme”.

“Ndeshja të dielën do të jetë kundër Manchester Unitedit. Ne të gjithë e dimë se çfarë presin njerëzit nga ne në atë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e madhe dhe ne po tentojmë të përgatitemi për të”.

Liverpooli e shkroi historinë për startin më të mirë në një sezon të Premierligës, duke i arritur 61 pikë nga 21 ndeshjet e para, pas fitores së xhiros së fundit kundër Tottenhamit.

(Kosova Sot Online)