Setien, i habitur me fatin e tij: Dje po ecja rreth lopëve, sot po i stërviti më të mirët në botë

  • 14 January 2020 - 15:46
Setien, i habitur me fatin e tij: Dje po ecja rreth lopëve, sot po i stërviti më të mirët në botë

Quique Setien e ka pranuar se ai nuk mund ta kishte imagjinuar se do ta merrte drejtimin e Barcelonës as në ëndrrat e tij më të çmendura, duke u shprehur i mahnitur gjatë prezantimit të tij zyrtar në Barcelonë.

Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, është emëruar trajner i Barcelonës, pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës.

Mediat botërore raportojnë se Barcelona fillimisht dëshironte ta emëronte Xavin për ta zëvendësuar Valverden, mirëpo trajneri aktual i Al Saddit bëri të ditur se kthimi i tij në Barcelonë mund të ndodhë vetëm gjatë verës.

Megjithatë, Setienit i është dhënë kontratë deri në fund të sezonit 2021/22 – duke i shuar gjasat që Xavi të kthehet në Camp Nou në fund të këtij sezoni. Ish-trajneri i Real Betisit u zgjodh para trajnerit të Barcelonës B dhe ish-futbollistit, Fracisco Garcia Pimienta, dhe ai s’mund ta besonte fatin e tij gjatë prezantimit zyrtar.

“Së pari dua ta falënderoj klubin, presidentin, Eric Abidalin dhe Ramon Planesin për mundësinë që ma kanë dhënë që të vij këtu. As në ëndrrat e mia më të çmendura s’do të mund ta imagjinoja këtë, që do të isha këtu”, ka thënë Setien.

“Unë jam person shumë emocional dhe sot është një ditë e veçantë për mua, Por, së pari dua ta falënderoj klubin dhe gjëja e radhës për të cilën jam shumë i emocionuar është ky projekt dhe kjo sfidë”.

“Dje po ecja rreth lopëve në fshatin tim, sot jam këtu duke i stërvitur lojtarët më të mirë në botë. Unë kam folur me lojtarët dhe vullneti që ata e kanë është i pabesueshëm, i jashtëzakonshëm”.

“Ne jemi plotësisht të sigurt se do ta kuptojmë njëri-tjetrin shumë shpejt sepse shumë gjëra që unë dëshiroja t’ua propozoja atyre, ata tashmë i dinë. Ka shumë gjëra të cilat ne i kemi të qarta dhe do të tentojmë t’ua transmetojmë dhe të sigurohemi që të mos mbeten vetëm djalë”.

“Unë e kam shijuar veten duke e shikuar Barcelonën dhe këta lojtarë gjatë viteve të fundit. Ende s’jam plotësisht i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh trajner i lojtarit më të mirë në botë. Një gjë është adhurimi dhe një gjë tjetër është që të gjithë ta kenë vendin e vet”. 

(Kosova Sot Online)