PSG-ja hyn në garë me Interin për Eriksenin

  • 15 January 2020 - 08:34
PSG-ja hyn në garë me Interin për Eriksenin

Paris Saint-Germaini është i gatshëm t’i bëjë konkurrencë Interit për transferimin e mesfushorit të Tottenhamit, Christian Eriksen, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Interi është përfolur që disa ditë për transferimin e Eriksenit, mirëpo tani gazeta britanike Mirror raporton se planet e zikaltërve mund të prishen shkaku i PSG-së.

Kontrata e Eriksenit me Tottenhamin skadon në qershor, por futbollisti dëshiron të largohet qysh këtë muaj e jo në fund të sezonit si transferim i lirë.

Shumë burime në Itali dhe Angli pretendojnë se Erikseni tashmë ka marrëveshje personale me Interin për një kontratë katërvjeçare, në vlerë prej 7.5 milionë eurosh në sezon.

Megjithatë, Interi dhe Tottenhami s’po pajtohen për çmimin e futbollistit. Italianët kanë bërë ofertë prej dhjetë milionë eurosh, ndërsa anglezët e vlerësojnë lojtarin e tyre me 20 milionë.

Këtu hyn në lojë PSG-ja, që është e gatshme t’i paguajë 20 milionët që i kërkon Tottenhami për Eriksenin. Nëse edhe danezi pajtohet për këtë transferim, atëherë planet e Antonio Contes do të mbeten të parealizueshme.

(Kosova Sot Online )