Ballkani i mbush “bateritë” në Turqi

  • 15 January 2020 - 11:26
Ballkani i mbush “bateritë” në Turqi

Duke e ditur se në sezonin pranveror e pret një rivalitet i fortë në luftën për titullin e kampionit të Kosovës në futboll, Ballkani ka vendosur që një fazë përgatitore ta zhvillojë në kushte sa më të mira.

Lideri i Superligës ka udhëtuar drejt Turqisë ku do të vendoset në Antali për t’i vazhduar përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit.

Skuadra nga Suhareka do të qëndrojë dhjetë ditë në Antali ku me trajnerin Ismet Munishi do t’i bëjë përgatitjet finale për sezonin pranveror.

Ballkani ka njoftuar se në Antali do t’i zhvillojë edhe katër ndeshje miqësore me qëllim që ta përgatis sa më mirë ekipin për vazhdim të luftës për titull të kampionit. Por, nuk i ka zbuluar emrat e ekipeve me të cilat do t’i zhvillojë këto miqësore.

Ballkani pjesën e parë të kampionatit e ka mbyllur në vendin e parë me 34 pikë, dy më shumë sesa Gjilani. Kurse, Drita dhe Prishtina janë në pozitat tre dhe katër me nga tri pikë më pak, raporton Gazeta Express. Por, titullin do ta tentojë edhe Feronikeli, që është shtatë pikë larg kryesuesit.

Ballkani e pati një sezon fenomenal gjatë vjeshtës duke shkëlqyer si me lojë ashtu edhe me rezultate.

Skuadra tashmë është përforcuar edhe me sulmuesin e rrezikshëm, Mirlind Daku, i cili është kthyer në Kosovë te Ballkani në formë huazimi nga Osjeku i Kroacisë.

Kurse mbrojtja e Ballkanit është përforcuar me Arbër Prekazin, të cilin e transferoi nga Feronikeli.

Ndërsa, nga Teuta e Durrësit në Suharekë është kthyer Ron Gashi. 

(Kosova Sot Online)