Kloppi s’do ta lejojë asnjë shitje këtë muaj

  • 16 January 2020 - 09:37
Kloppi s’do ta lejojë asnjë shitje këtë muaj

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk do ta lejojë shitjen apo huazimin e asnjë lojtari të ekipit të parë gjatë afatit kalimtar të janarit. Ai do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion gjatë tentimit për ta fituar Premierligën.

Strategu gjerman dëshiron që e gjitha skuadra e tij të jetë e gatshme për agjendën e ngarkuar gjatë pjesës së dytë të sezonit, kur Liverpooli shpreson ta fitojë titullin e parë të Premierligës në 30 vjet.

Kloppi nuk dëshiron të huazohet as lojtarët më të rinj dhe po tenton t’i bindë ata se të gjithë do ta kenë një rol për ta luajtur deri në fund të sezonit.

I vetmi lojtar të cilit ia ka lejuar huazimin është sulmuesi adoleshent Rhian Brewster. Ai është dërguar në formë huazimi në Swansea për të marrë më shumë përvojë.

Në anën tjetër, kjo do të thotë se Xherdan Shaqiri do të mbetet në Liverpool, përkundër interesimit të  Romës për të. Shaqiri shpreson të paktën të ketë më shumë minuta lojë gjatë pjesës së mbetur të sezonit. 

(Kosova Sot Online)