Arsenali kërkon mbrojtësin e PSG-së

  • 16 January 2020 - 09:39
Arsenali kërkon mbrojtësin e PSG-së

Arsenali është duke e bërë gati një ofertë prej gjashtë milionë funtesh për ta transferuar mbrojtësin e krahut të majtë të Paris Saint-Germainit, Layvin Kurzawa, gjatë këtij muaji.

Topçinjtë fillimisht kishin menduar ta marrin 27-vjeçarin francez si transferim të lirë gjatë verës së ardhshme, kur futbollistit i përfundon kontrata me PSG-në.

Por, tani ata i kanë ndryshuar planet dhe duan ta transferojnë Kurzawan menjëherë këtë muaj, pasi që kanë probleme në repartin e mbrojtjes shkaku i lëndimeve të Kieran Tierneyt dhe Sead Kolasinacit.

Tierney u ble verën e kaluar nga Celticu për 25 milionë funte, mirëpo ka luajtur vetëm nëntë herë për Arsenalin. Lëndimi i tij në kraharor bën që ai të mungojë të paktën tre muaj.

Në anën tjetër, Kolasinac tani po ka vështirësi me një lëndim muskulor, vetëm pak pasi u kthye nga lëndimi i kyçit të këmbës.

Këto dy lëndime bëjnë që interesimi i Arsenalit për Kurzawan të intensifikohet ditët e fundit. Futbollisti i kishte kushtuar PSG-së 20 milionë funte në vitin 2015, por pasi që kontrata e tij skadon verës ai do të shitet për vetëm gjashtë milionë.

(Kosova Sot Online)