Mourinho insiston se Interi s’ka bërë ofertë për Eriksenin: S’e kuptoj optimizmin e tyre

  • 17 January 2020 - 15:46
Mourinho insiston se Interi s’ka bërë ofertë për Eriksenin: S’e kuptoj optimizmin e tyre

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, insiston se Interi nuk ka bërë ende ofertë zyrtare për Christian Eriksenit, duke thënë se nuk e kupton optimizmin e zikaltërve.

Mediume të ndryshme në Itali, Angli dhe Danimarkë kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se Interi ka arritur marrëveshje personale me futbollistin, si dhe ia ka ofruar Tottenhamit 10-15 milionë euro plus bonuse.

 

Këto marrëveshje thuhet se u arritën pasi agjenti i Eriksenit, Martin Schoots, dhe drejtori ekzekutiv i Interit, Beppe Marotta, u takuan mbrëmë në Milano të Italisë.

“Ju duhet ta pyesni agjentin dhe Interin sepse ata dinë më shumë sesa unë”, ka thënë Mourinho, në konferencën për shtyp që u mbajt sot.

“Nëse ata kanë kaq shumë vetëbesim, atëherë kjo është sepse do të jenë bërë gati për të na i bërë ndonjë ofertë, gjë që nuk ka ndodhur ende”.

“Kur unë i shoh njerëzit duke folur, veçanërisht njerëzit e përgjegjshëm, kjo gjë më habit shumë. Ai është duke tentuar ta jap maksimumin e tij dhe është normale të mos jetë plotësisht i përqendruar deri më 31 janar”.

“Kjo është një pasojë normale në këtë situatë. Unë ende nuk e kuptoj të gjithë këtë optimizëm. Njerëzit kanë thënë disa herë për ndeshje të caktuara se ajo ishte e fundit për të. Por, Erikseni do të luajë nesër”.

Tottenhami do të përballet me Watfordin në Premierligë të shtunën dhe kontrata e Eriksenit pritet të skadojë në qershor. Kështu që nëse Tottenhami nuk e shet këtë muaj, atëherë ai mund të largohet verës falas. 

(Kosova Sot Online)