PSG insiston për Koulibalyn pasi Napoli bleu Rrahmanin

  • 18 January 2020 - 13:52
PSG insiston për Koulibalyn pasi Napoli bleu Rrahmanin

Napoli bleu Rrahmanin sepse Koulibaly është gjithnjë e më afër largimit nga Serie A

Paris Saint Germain nuk ka ndërmend të dorëzohet për Kalidou Koulibaly.

Sipas mediave franceze, drejtuesit e parisienëve për ta bindur mbrojtësin të transferohet në Ligue 1, i kanë ofruar atij një page prej 12 milionë Eurosh në vit, pasi e shikojnë si pasuesin ideal të Thiago Silva.

28-vjeçari kishte refuzuar më pare një ofertë për t’u transferuar në Paris, por duke pare situatën e ndërlikuar që po kalon skuadra e Napolit, ku pavarësisht ndërrimit të trajnerëve me largimin e Ancelottit dhe ardhjen e Gattusos, gjërat nuk kanë ndryshuar, futbollisti duket se ka ndërruar mendje dhe mund të marrë në konsideratë superofertën e Leonardos.

Edhe Manchester City e do lojtarin, teksa Napoli tashmë ka gjetur zëvendësuesin – është Amir Rrahmani i Kombëtares së Kosovës që gjatë ditës së premte ka kryer testet mjekësore dhe ka mbetur vetëm zyrtarizimi nga të dyja klubet.

(Kosova Sot Online)