“Cavani ka kërkuar të largohet nga PSG-ja”

  • 20 January 2020 - 08:56
“Cavani ka kërkuar të largohet nga PSG-ja”

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo ka zbuluar se Edinson Cavani e ka kërkuar largimin nga Franca pasi po e kërkon një eksperiencë të re

Edinson Cavani ka kërkuar të largohet nga Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të janarit.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori sportiv i klubit francez, Leonardo, shkruajnë mediat franceze.

Gjithashtu, ish-futbollisti brazilian ka zbuluar se kampioni francez tashmë e ka refuzuar një ofertë të Atletico Madridit.

Përfaqësuesi uruguaian lidhet qe një kohë të gjatë me një largim të mundshëm nga Parisi.

Mirëpo, tash ai e ka bërë kërkesën zyrtare për të ndodhur një gjë e tillë.

Ish-futbollisti i Palermos dhe Napolit po has në probleme me lëndime këtë sezon dhe ka përfunduar si qendërsulmuesi i dytë në ekip pas Mauro Icardit.

Ai po e kalon vitin e fundit të kontratës në “Parkun e Princave”.

Ka mundësi që Cavani t’i japë fund këtë muaj eksperiencës prej gjashtë vjetësh e gjysmë në PSG.

Për sulmuesin e rrezikshëm flitet po ashtu se mund të rikthehet në Itali ose të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(Kosova Sot Online )