Chelsea në bisedime me PSG-në për Cavanin

  • 21 January 2020 - 12:15
Chelsea në bisedime me PSG-në për Cavanin

Chelsea është duke e negociuar të ardhmen e Edinson Cavanit me Paris Saint-Germainin, mirëpo klubi londinez ende s’e ka bërë asnjë ofertë zyrtare për sulmuesin.

Zyrtari i Chelseat Claude Makelele udhëtoi në Francë së fundi për t’u takuar me Paris Saint-Germainin për transferimin e 17-vjeçarit Kays Ruiz-Atil. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për të ardhmen e Cavanit.

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e ka lavdëruar publikisht 32-vjeçarin, i cili po e kërkon largimin nga Parc des Princes gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pasi që e ka humbur vendin në formacionin e parë të PSG-së.

Përkundër që Cavani ka kërkuar zyrtarisht largimin, PSG-ja nuk e ka pranuar ofertën prej dhjetë milionë eurosh të Atletico Madridit. Megjithatë, klubi spanjoll mbetet i interesuar dhe do të tentojë ta sigurojë këtë transferim sërish me një ofertë tjetër. 

Tottenhamit i është ofruar mundësia për ta bërë një ofertë për Cavanin, pasi sulmuesi Harry Kane s’do të shërohet nga lëndimi i tij deri në prill. Ndërkohë, edhe Manchester Unitedi mund të hyjë në këtë garë për shkak se Marcus Rashfordi s’do të luajë për gjashtë javë shkaku i një lëndimi në shpinë.

Cavani i ka vetëm edhe gjashtë muaj të mbetura në kontratën e tij me PSG-në, por e do largimin menjëherë pasi që tani trajneri Thomas Tuchel po preferon të luajë me Mauro Icardin, Kylian Mbappen dhe Neymarin në sulm.

Cavani paguhet 8.5 milionë funte nga PSG-ja dhe klubet e interesuara për uruguaianin raportohet se do t’ia kërkonin sulmuesit ta zvogëlojë pagën, në mënyrë që ta përballojnë transferimin.

(Kosova Sot Online)