Menaxheri i Rrahmanit: S’prisnim ofertë nga një klub i madh, Amiri është i gatshëm për Napolin

  • 21 January 2020 - 12:41
Menaxheri i Rrahmanit: S’prisnim ofertë nga një klub i madh, Amiri është i gatshëm për Napolin

Adrian Aliaj, menaxher i Amir Rrahmanit, ka folur për transferimin më të ri të Napolit.

Qendërmbrojtësi kosovar nënshkroi kontratë me klubin italian pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që po i bën me Veronën, por edhe paraprakisht me Dinamo Zagrebin.

Menaxheri shqiptar e pranon se ai bashkë me përfaqësuesin kosovar nuk e prisnin një ofertë nga një klub i madh aq shpejtë.

Tash, Aliaj beson se Amiri do ta japë maksimumin dhe se do ta tregojë veten nga sezoni i ardhshëm në “San Paolo”.

“Nuk e prisja një interesim aq të shpejtë të një klubi të madh për Amirin. Po planifikonim që ai të zhvillohej dhe përmirësohej në Verona, por nuk kemi hezituar kur është paraqitur Napoli. Një klubi të tillë nuk mund t’i thuash jo. Për ne, si menaxherë, dhe për djaloshin, bëhet fjalë për një privilegj të jesh në një skuadër si kjo”, ka thënë ish-futbollisti shqiptar për “Radio Punto Nuovo”. 

“Nuk do të jetë e lehtë për Amirin. Problemet brenda klubit nuk do të reflektojnë tek lojtari, nuk do të jetë një problem. Do të arrijë në Napoli gjatë korrikut, kur do të fillojë një projekt dhe një shpirt i ri në ekip”, vazhdoi ai.

“Amiri nuk e ka kurrfarë problemi të luajë me katër mbrojtës. Këtë e bën edhe tek Kombëtarja, ku është kapiten. Unë e shoh më mirë në një ekip me katër mbrojtës, sesa me tre. Rrugëtimi i Amirit për të ardhur deri këtu ka qenë i drejtë. Ai është qysh tash i gatshëm pas eksperiencës që e ka bërë”, shprehet tutje Aliaj.

“Ai vjen nga Dinamo Zagrebi, ku presioni është mjaft i lartë. Në këtë moment Dinamo është më e fortë se Verona, pasi luan në gara të rëndësishme evropiane dhe Rrahmani i ka shijuar ato. Nuk shoh probleme që ai të luajë në Napoli, në nivele të larta, sepse është gati. Amiri është i lumtur dhe i motivuar. Po e kalon një periudhë të shkëlqyer, edhe në aspektin familjar”, tregon ai.

“Kishte edhe skuadra të tjera që e donin Amirin, por i bëj komplimente Giuntolit, i cili ishte mjaft korrekt dhe i respektueshëm. Njoh shumë persona dhe atë e respektoj, posaçërisht sepse ka bërë gjithçka që ka thënë, është një person mjaft i mirë dhe me kualitete të pasura”, përfundoi menaxheri shqiptar.

(Kosova Sot Online)