Solskjaer kritikohet për lëndimin e Rashfordit: Mendoi për vete, jo për lojtarin

  • 21 January 2020 - 13:30
Solskjaer kritikohet për lëndimin e Rashfordit: Mendoi për vete, jo për lojtarin

Ish-sulmuesi i Anglisë, Ian Wright, e ka kritikuar trajnerin e Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaerin, për mënyrën se si e menaxhoi lëndimin e sulmuesit Marcus Rashford, duke thënë se norvegjezi mendoi vetëm për vete e jo për lojtarin.

22-vjeçari Marcus Rashford hyri në lojë nga banka rezervë dhe pastaj u largua shkaku i një lëndimi në shpinë gjatë fitores me rezultat 1:0 të Manchester Unitedit në shtëpi kundër Wolves, në ndeshjen kthyese të rundit të tretë të FA Cup, që u zhvillua javën e kaluar.

Wright beson se lëndimi i Rashfordit do t’i kushtojë me pikë Manchester Unitedit dhe se për këtë arsye Solskjaer duhet të marrë përgjegjësi për mënyrën se si u menaxhua lëndimi i sulmuesit anglez.

“Ole Gunnar Solskjaer tha se e dinte se Marcus Rashford po kalonte nëpër disa vështirësi dhe prapëseprapë e futi në lojë në ndeshjen kundër Wolves – tani ai do të mungojë për tre muaj”, ka thënë Wright.

“Ne po flasim për një lojtar eksploziv që do të duhet të jetë shëruar 100 për qind dhe të jetë kthyer në formë për të luajtur sërish mirë”.

“Solskjaer është nën presion të madh për ta kthyer Manchester Unitedit në nivelin ku klubi ka qenë në të kaluarën dhe ai ka menduar për vete para se të mendonte për lojtarin – ai e vendosi veten mbi shëndetin e Marcus Rashfordit”.

“Tani, atyre do t’u mungojë njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm dhe më premtuar dhe për këtë gjë duhet të marrë përgjegjësi trajneri”.

Rashfordi kishte luajtur në 13 ndeshje – duke qenë titullar në 11 prej tyre – që nga fillimi i dhjetorit deri kur e pësoi një lëndim më 15 janar, duke i shënuar nëntë gola gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)