Barcelona kërkon ta huazojë Aubameyangun

  • 21 January 2020 - 15:26
Barcelona kërkon ta huazojë Aubameyangun

Barcelona është duke e bërë gati një ofertë për ta bindur Arsenalin t’ia lejojë transferimin në formë huazimi të Pierre-Emerick Aubameyangut gjatë këtij afati kalimtar të janarit.

Kampionia në fuqi e La Ligës ka qenë e përfolur që një kohë të gjatë për një transferim potencial të kapitenit të Arsenalit, të cilit tani i kanë mbetur vetëm edhe 18 muaj kontratë me klubin londinez.

Pas një takimi me komisionin sportiv të klubit, uebsajti ndërkombëtar Goal.com raporton se Aubameyang po shihet si opsioni i përsosur për ta transferuar këtë muaj për pozitën e qendërsulmuesit në Barcelonë.

Presidenti i Barcelonës Josep Maria Bartomeu, drejtori ekzekutiv Oscar Grau, drejtori i futbollit Eric Abidal, sekretari teknik Ramon Planes dhe trajneri Quique Setien u takuan të hënën në mbrëmje dhe vendosën që do ta transferojnë një sulmues këtë muaj për ta zëvendësuar Luis Suarezin.

Uruguaiani Suarez do të jetë jashtë fushës së lojës për katër muaj, pasi që është bërë operacion shkaku i një lëndimi në gjurin e tij të djathtë. Për këtë arsye, Aubameyang – i cili, bashkë me Mohamed Salahun dhe Sadio Manen, ishte golashënuesi më i mirë në Premierligë sezonin e kaluar – është në krye të listës së sulmuesve që po i monitoron Barcelona.

Por, gjiganti katalonas nuk pritet të ketë sukses me ofertën për huazim prej gjashtë muajsh për Aubameyangun – gjë që e ka planifikuar me synimin për ta blerë pastaj në verë Lautaro Martinezin e Interit.

Kjo ofertë pritet të refuzohet menjëherë nga hierarkia e Arsenalit, të cilët ende s’i kanë humbur shpresat se Aubameyangu do të nënshkruajë kontratë të re në Emirates. Trajneri Mikel Arteta tha se as nuk po e mendon mundësinë e shitjes apo huazimit të Aubameyangut këtë muaj, gjë të cilën e theksoi edhe vetë sulmuesi.

“Dua të reagoj ndaj disa spekulimeve që po bëhen për mua nëpër media. Njerëzve u pëlqen të shpikin histori dhe do të ishte më mirë nëse ata përqendrohen te ajo që ndodh në fushën e lojës”, ka thënë Aubameyang.

“Ata flasin shumë dhe kjo më zemëron! Unë jam kapiteni i Arsenalit. E dashuroj këtë klub, jam i përkushtuar ndaj tij dhe jam i uritur ta kthej atje ku përket, në nivelin më të lartë”.

Aubameyangu, i cili i ka shënuar 16 gola në 26 ndeshje këtë sezon, për momentin është duke e vuajtur një suspendim prej tre ndeshjesh pasi që u ndëshkua me karton të kuq në barazimin e Arsenalit kundër Crystal Palace dhe do të mungojë në ndeshjen e së martës kundër Chelseat. 

(Kosova Sot Online)