Rodrigo, favoriti për ta zëvendësuar Suarezin në Barcelonë

  • 22 January 2020 - 09:38
Rodrigo, favoriti për ta zëvendësuar Suarezin në Barcelonë

Barcelona është në kërkim për një sulmues që mund ta zëvendësojë Luis Suarezin, i cili do të mungojë katër muaj shkaku i një lëndimi. Lojtari i cili ka më së shumti gjasa ta sigurojë transferimin në Camp Nou këtë muaj është Rodrigo Moreno i Valencias.

Pasi që Barcelona është duke e kërkuar një sulmues që s’do të ketë nevojë për t’u përshtatur, por do të jetë në formë që nga fillimi, Rodrigo konsiderohet opsion i mirë për stilin e lojës së Quique Setienit.

Problemi për Barcelonës është se kompletimi i transferimit gjatë këtij afati kalimtar të janarit do t’u kushtonte mjaft shumë katalonasve, pasi që Valencia nuk dëshiron ta shesë Rodrigon për më pak sesa 60 milionë euro.

Duke e pasur parasysh se Barcelona duhet t’i sjellë 124 milionë euro përfitim nga transferimet deri këtë verë, ky transferim, në vlerë prej 60 milionë eurove, do t’i shkaktonte dhimbje të mëdha koke bordit drejtues të klubit.

Trajneri Setien do ta ketë mundësi ta mbikëqyrë nga afër Rodrigon këtë fundjavë, kur Barcelona do të përballet me Valencian në kuadër të La Ligës.

Pierre-Emerick Aubameyang konsiderohet një tjetër opsion për Barcelonën, mirëpo Arsenali nuk dëshiron ta shesë atë. Situata është e ngjashme edhe me Timo Wernerin e RB Leipzigut.

Barcelona nuk dëshiron t’i përsëritet historia e sezonit të kaluar, kur e transferoi Kevin-Prince Boatengun për gjashtë muaj në formë huazimi, që rezultoi i pasuksesshëm.

Megjithatë, nëse katalonasit duan ta blejnë në mënyrë permanente një sulmues, kjo do t’u kushtojë para.

(Kosova Sot Online )