Muriqi akuzohet se e mori qëllimshëm kartonin e kuq, pritet dënimi për të

  • 22 January 2020 - 10:08
Muriqi akuzohet se e mori qëllimshëm kartonin e kuq, pritet dënimi për të

Këshilli Ligjor i Federatës së Futbollit të Turqisë ka bërë të ditur se ndaj Vedat Muriqit është hapur procedurë disiplinore, për shkak se ai akuzohet se mori karton të kuq qëllimishëm. Vendimi do të merret duke u bazuar në pamjet televizive nga ndeshja.

Sulmuesi kosovar i Fenerbahces, Vedat Muriqi, do të përballet me Komisionin Disiplinor të Federatës turke për shkak të kartonit të kuq me të cilin ishte ndëshkuar në ndeshjen kundër Gaziantepit.

Në fitoren 2:0 në këtë ndeshje, në të cilën Muriqi e asistoi golin e parë dhe e shënoi të dytin, kosovari u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë në minutën e 80-të për një ndërhyrje, ndërsa pak momente para se të përfundonte ndeshja e mori kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht të kuqin, për humbje kohe.

Analistët e akuzuan Muriqin se e kishte marrë kartonin e kuq me qëllim, në mënyrë që të pushojë në ndeshjen e kupës dhe më pas të luajë fundjavë kundër Basaksehirit. Këto akuza i kishte mohuar Muriqi.

“Asgjë nuk ka të vërtetë. Unë e godita pak topin me qëllim që të vonohet paksa loja. Po të ishte e planifikuar, në momentin e realizimit të golit, do ta hiqja fanellën. Unë vazhdoj të jap kontributin tim në synimin kryesor të ekipit, titullin e kampionit”, tha Muriqi.

Megjithatë, deklarata e Muriqit s’ka qenë e mjaftueshme dhe tani kosovari do të përballet me një dënim potencial nga Komisioni Disiplinor.

(Kosova Sot Online )