Leon Dajaku merr vëmendjen në Bundesligë: Kush është sulmuesi gjermano-kosovar i Bayernit

  • 22 January 2020 - 10:41
Leon Dajaku merr vëmendjen në Bundesligë: Kush është sulmuesi gjermano-kosovar i Bayernit

Leon Dajaku e bëri paraqitjen e tij të dytë në Bundesligë për Bayern Munichun në fitoren e kampionit në fuqi të Gjermanisë kundër Hertha Berlinit në xhiron e 18-të. Paraqitja e tij bëri që faqja zyrtare e Bundesligës ta shkruajë një artikull për të.

Mosha: 18-vjeçar

Klubi: Bayern Munich

Pozita: Sulmues

Vendi: Gjermania dhe Kosova

I lindur në Waiblingen me prindër shqiptarë, Dajaku kishte qenë pjesë e akademisë së Stuttgartit që nga mosha 13-vjeçare, pasi kishte kaluar pak kohë me Spsvgg Rommelshausen dhe FSV Waiblingen. Adoleshenti kishte qenë mbresëlënës me numrin e golave të shënuara qysh në fillim të karrierës, shkruan faqja e Bundesligës.

Stuttgarti e mbylli sezonin 2017/18 të Bundesligës U17 në pozitën e dytë, me baras pikë me liderin Bayernin por me dallim më të vogël në gola, ndërsa Dajaku ishte golashënuesi më i mirë me 23 gola.

Në sezonin 2018/19 ai u ngrit në nivelin më të lartë të futbollit për të rinj në Gjermani, dhe i shënoi 11 gola në 24 ndeshje të Bundesligës u19. Dajaku iu bashkua Bayernit pasi e fitoi Kupën e DFB-së U19 me Stuttgartin.

Sikur kapiteni i Dortmundit Marco Reus, Dajaku mund të luajë kudo në vijën e sulmit, mirëpo e preferon pozitën e qendërsulmuesit. Me shpejtësinë e tij, 18-vjeçari përbën rrezik të madh për kundërshtarët. Ai është shumë i mirë para portës kundërshtare dhe nga gjuajtjet e lira, përderisa mund ta godasë topin fuqishëm me të dyja këmbët.

“Leoni ishte lojtari i parë dhe i vetëm që e kam parë që e ka marrë topin nga nisja e ndeshjes dhe ka shënuar menjëherë. Ai është teknikisht shumë i fortë, veçanërisht kur është kundër një lojtari”, ka thënë trajneri i kampit të DFB-së, Pascal Stoffler.

(Kosova Sot Online )