Federer dhe Djokovic kalojnë në rundin e tretë të Australian Open

  • 22 January 2020 - 14:06
Federer dhe Djokovic kalojnë në rundin e tretë të Australian Open

Roger Federeri dhe Novak Djokovic i siguruan lehtësisht fitoret që u nevojiteshin për ta zënë një vend në rundin e tretë të turneut Australian Open.

Zvicerani Roger Federer e mposhti 6-1 6-4 6-1 Filip Krajinovicin, i cili është i 41-ti në botë, për të mbetur në garë për titullin e shtatë në karrierë të Australian Open dhe Grand Slamin e 21-të.

38-vjeçari zviceran e mbylli ndeshjen kundër tenistit serb brenda 92 minutave në Melburn.

Në anën tjetër, Djokovic, i cili e fitoi për herë të shtatë titullin e Australian Open vitin e kaluar, e mposhti japonezin Tatsuma Ito 6-1 6-4 6-2, brenda 95 minutave.

32-vjeçari serb, i cili tani po e kërkon Grand Slamin e 17-të në karrierë, do të përballet tani me japonezin Yoshihito Nishioka, i cili e eliminoi në tre sete britanikun e listuar më së miri Dan Evans.

Ndërsa, Federer do të përballet me australianin John Millman, ndaj të cilit kishte humbur në US Open 2018, pasi vendasi e mposhti polakun Hubert Hurkacz në këtë rund.

Zvicerani është duke garuar në Melbourne Park për vitin e 21-të radhazi dhe ai ka arritur të jetë të paktën në mesin e 32 tenistëve më të mirë në çdo rast.

“Jam shumë i lumtur, është një fillim i mrekullueshëm i këtij sezoni. Po ndihem shumë i pushuar në fushë. Ti vetëm duhet të punosh shumë dhe të shpresosh që puna do të të shpaguhet”, tha Federer.

(Kosova Sot Online)