Milani nuk dorëzohet për Olmon

  • 22 January 2020 - 14:52
Milani nuk dorëzohet për Olmon

Milan raportohet se nuk e ka në mendje të dorëzohet në tentimet për ta transferuar Dani Olmon nga Dinamo Zagrebit. Negociatat mes dy klubeve po vazhdojnë ende pasi që kuqezinjtë janë insistues në qëllimin për ta sjellë spanjollin në San Siro në qershor.

Gazetari i famshëm sportiv italian, Gianluca di Marzio, raporton se klubi kuqezi mund të detyrohet ta rritë ofertën prej 20 milionë eurove për ish-futbollistin e akademisë së Barcelonës.

Di Marzio insiston se drejtori kroat i Milanit, Zvonimir Boban, dhe klubi kroat Dinamo Zagrebi kanë kontakt të vazhdueshëm dhe se kjo marrëdhënie e mirë mes dy palëve mund t’i ndihmojë Milanin në procesin e negociatave.

Por, Milani s’është i vetëm në tentimin për ta transferuar Olmon, pasi që për të është interesuar edhe klubi i Premierligës Ëolves, që i kanë ofruar 30 milionë euro plus bonuse për 21-vjeçarin.

Në anën tjetër, klubi gjermani, që është aktualisht lider i Bundesligës, RB Leipzig, e kishte bërë një ofertë prej 16 milionë eurosh, por kjo ofertë i ishte refuzuar menjëherë nga kroatët. Përfshirja e Ëolves mund ta detyrojë edhe Milanin të shpenzojë më shumë para sesa që e kishte planifikuar fillimisht.

Spanjolli 21-vjeçar ka kontratë me Dinamo Zagrebin deri në qershor të vitit 2021. Tani ai kushton 25 milionë euro plus bonuse, në krahasim me verën e kaluar kur për të ishin kërkuar 40 milionë.

Çmimi i tij ka rënë pasi që Dinamo nuk dëshiron ta detyrojë Olmon të qëndrojë, kur e di se spanjolli dëshiron ta testojë veten në ligat më të forta evropiane.

Milani do të duhet ta shesë ose Lucas Pauqetan ose Suson nëse dëshiron ta blejë Olmon, pasi që përndryshe nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Olmo i ka bërë gjithsej 22 paraqitje këtë sezon për Dinamo Zagrebin (nëntë në ligën kroate HNL, gjashtë në Ligën e Kampionëve, pesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe dy në kupën kroate). Ai ka kontribuar në këto ndeshje me tetë gola dhe shtatë asiste, prej të cilave më së shumti mori famë me dy golat dhe asistin në Ligën e Kampionëve. 

(Kosova Sot Online)