Klubi egjiptian e transferon 74 vjeçarin, regjistron rekord botëror

  • 22 January 2020 - 16:19
Klubi egjiptian e transferon 74 vjeçarin, regjistron rekord botëror

Ezz El-Din Bahader do të bëhet futbollisti profesionist më i vjetër në botë. Federata Egjiptiane e Futbollit pret që ky futbollist të futet në librin e rekordeve botërore “Guinness”

Klubi nga divizioni i tretë i futbollit egjiptian “6 Tetori” ka njoftuar se e ka angazhuar futbollistin Ezz El-Din Bahader, i cili ka nënshkruar kontratë në moshën 74 vjeçare.

Nëse do të futet në lojë, ai pritet të bëhet futbollisti profesionist më i vjetër ndonjëherë, duke e thyer rekordin aktual që e mban Isaak Hayik.

Hayik kishte luajtur për ekipin nga liga e katërt të Izraelit, Ironi Or Yehuda në prill të vitit 2019 kur ishte 73 vjeç.

Mirëpo, tash Bahader mund ta kalojë atë dhe Federata Egjiptiane e Futbollit (EFA) është e vendosur ta shkruajë emrin e tij në librin e rekordeve.

“Sot, Federata Egjiptiane e Futbollit e ka regjistruar futbollistin profesionist më të vjetër në botë, i cili u transferua në afatin kalimtar të janarit. Ai është 74 vjeçari Ezz El-Din Bahader, i cili nënshkroi për ekipin ‘6 Tetori’ në divizionin e tretë”, ka shkruar ETA në Facebook.

“Ai po përgatitet për të hyrë në librin Guinness, derisa ka nisur të marrë pjesë në ushtrimet me ekipin e ri”, vazhdon njoftimi.

Nuk janë bërë të ditura detaje shtesë rreth marrëveshjes në mes të palëve, ndërsa nuk ka informata të bollshme rreth karrierës së Bahader.

Sulmuesi japonez,  Kazuyoshi Miura, 52 vjeç, është lojtari më i vjetër në futbollin profesionist që luan në elitën e futbollit japonez, J-League me klubin Yokohama FC.

“Unë isha në gjendje ta vazhdoja kontratën time me Yokohoman për sezonin 2020”, ka thënë Miura.

“Shpresoj të vazhdoj të luaj dhe ta shijoj futbollin dhe ta kujtoj të jem mirënjohës, duke e ndihmuar klubin që ta arrijë qëndrimin në J1. Do të punoj fort për të kontribuuar në fitoret e ekipit”, ka vazhduar ai.

Miura do ta luajë sezonin e 35-të në futbollin profesionist, ndërsa në muajin shkurt do t’i mbushë 53 vjet.

Në anën tjetër, Mauricio Baldivieso besohet të jetë futbollisti më i ri profesional, kur kishte luajtur në ligën e parë të Bolivisë në moshën 12 vjeçare.

Derisa ishte bërë pjesë e ekipit La Paz FC, Baldivieso ishte inkuadruar në një ndeshje në vitin 2009 nga trajneri dhe njëherësh babai i tij. 

(Kosova Sot Online)