Sarri për shtatë golat e Ronaldos në katër ndeshje: Ai është i jashtëzakonshëm

  • 23 January 2020 - 10:46
Sarri për shtatë golat e Ronaldos në katër ndeshje: Ai është i jashtëzakonshëm

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, është i kënaqur me “të jashtëzakonshmin” Cristiano Ronaldo dhe me formën aktuale të Juventusit, mirëpo e pranoi se skuadra e tij duhet të përmirësohet në krahasim me sezonet e kaluara për ta fituar sërish titullin e Serisë A.

Bardhezinjtë e mposhtën Romën me rezultat 3:1 në çerekfinale të Kupës së Italisë të mërkurën, falë golave të shënuara nga Cristiano Ronaldo, Rodrigo Bentacur dhe Leonardo Bonucci.

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për Juventusin në të gjitha garat. Kjo ecuri e mirë u ka mundësuar bardhezinjve ta marrin një epërsi prej katër pikësh ndaj Interit në krye të tabelës së Serisë A.

Sarri pa dëshmi të këtij mentaliteti fitues në ndeshjen kundër Romës, mirëpo e pranoi se duhen përmirësime  për t’u siguruar që Juventusi e fiton sërish titullin e Serisë A, në garën me zikaltrit dhe Lazion.

“Po bëhet normale të fitojmë. Jam i lumtur për skuadrën. Por, ne nuk duhet t’i shikojmë statistikat sepse do ta kemi më të vështirë këtë vit. Ne do të duhet të bëjmë punë më të mirë sesa në vitet paraprake nëse duam të jemi garues në ligë”, ka thënë Sarri.

Ronaldo i ka shënuar shtatë gola në katër ndeshjet e këtij viti kalendarik dhe Sarri e ka lavdëruar futbollistin e tij, duke e përsëritur dëshirën për t’i ndihmuar atij të fitojë çmime individuale.

“Ronaldo është në formë të jashtëzakonshme fizike dhe mendore. Ai po vazhdon me një ecuri mbresëlënëse dhe ka aftësi të jashtëzakonshme”, ka thënë trajneri Sarri.

“Ai është shumë mirë fizikisht. Sa i përket eksplozivitetit, ai është i mirë. Ai kujdeset shumë për detajet. Ronaldo është kampion, ne duam t’i ndihmojmë atij ta fitojë për herë të gjashtë Topin e Artë, do të na bënte të gjithëve të lumtur”. 

(Kosova Sot Online)