De Biasi: Unë, trajner i Kosovës? Kurrë mos thuaj kurrë

  • 23 January 2020 - 13:19
De Biasi: Unë, trajner i Kosovës? Kurrë mos thuaj kurrë

Ish-trajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Gianni de Biasi, e ka komentuar mundësinë që në të ardhmen ai ta marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Kosovës, duke thënë “kurrë mos thuaj kurrë”.

Gianni De Biasi kishte arritur sukses historik me Kombëtaren kuqezi, duke e arritur kualifikimin për herë të parë në histori në Kampionatin Evropian 2016, që u mbajt në Francë.

Kosova synon një arritje të tillë në mars të këtij viti, kur shpreson të fitojë në gjysmëfinale kundër Maqedonisë Veriore dhe në finale kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë për t’u kualifikuar në EURO 2020.

Me paraqitjet në kualifikimet direkte për EURO 2020, Kosova, nën drejtimin e Bernard Challandes, e fitoi zemrën e shumë tifozëve, falë stilit të lojës dhe pasionit të tifozëve në tribuna.

Përderisa trajneri zviceran Bernard Challandes e ka përkrahjen e lojtarëve, tifozëve dhe zyrtarëve të Federatës së Futollit të Kosovës, trajneri De Biasi nuk e përjashton mundësinë që dikur ta marrë ai drejtimin e “Dardanëve”

“Për sa i përket pyetjes nëse do drejtoj ndonjëherë në të ardhmen kombëtaren e Kosovës mendoj se Kosova ka shumë lojtar të talentuar, dhe do të thoja se kurrë mos thuaj kurrë”, tha De Biasi për mediumet shqiptare.

De Biasi e drejtoi Kombëtaren e Shqipërisë në 51 ndeshje dhe arriti t’i fitojë 19 prej tyre, 10 i barazoi dhe 22 i humbi. 

(Kosova Sot Online)