James u premton përmirësim tifozëve të Man Unitedit: Do të reagojmë

  • 23 January 2020 - 14:52
James u premton përmirësim tifozëve të Man Unitedit: Do të reagojmë

Sulmuesi i ri uellsian, Daniel James, u ka premtuar tifozëve të Manchester Unitedit se lojtarët do të reagojnë pas disfatës kundër Burnleyt, pasi e pranoi se skuadra nuk ishte në formë mjaftueshëm të mirë.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer u përball me vështirësi në fazën e sulmit përgjatë 90 minutave të ndeshjes të së mërkurës kundër Burnleyt, në mungesë të Marcus Rashfordit të lënduar. Golat nga Chris Wood dhe Jay Rodriguez ia dhanë Burnleyt tri pikët e kësaj ndeshjeje.

Ky rezultat vjen vetëm pak ditë pas disfatës me rezultat 2:0 kundër Liverpoolit dhe është disfata e katërt e Djajve të Kuq në vitin 2020.

Vetë James mbeti i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij në këtë disfatë dhe insistoi se Djajtë e Kuq duhet të tregohen më të saktë para portës kundërshtare në të ardhmen. Megjithatë, ai beson se Manchester Unitedi ka ende gjasa të hyjë në top katërshe të Premierligës, përderisa është edhe në rundin e katërt të FA Cup dhe në gjysmëfinale të Carabao Cup.

“E kemi ende në dorë, nesër do të reflektojmë për këtë ndeshje dhe do ta shohim se çfarë bëmë gabim. Ne i kemi dy ndeshje të mëdha në kupa tani dhe duhet të nisemi për aty me kokën lart”, ka thënë James.

“Në ligë s’do të luajmë edhe rreth dy javë. Këtë gjë e kemi në mendje, por duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Çdo javë, në shtëpi apo si mysafirë, tifozët na përkrahin dhe s’na lënë të vetëm. Ne do të reagojmë ndaj kësaj, e dimë se s’ishim mjaftueshëm të mirë”.

“Si skuadër, ne duhet t’i shfrytëzojmë rastet më mirë. Patëm shumë goditje, duhej ta kishin shënuar golin e parë ne, duke i pasur parasysh rastet e shumta që i patëm”.

Manchester Unitedi radhitet në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës, me 30 pikë më pak sesa lideri Liverpooli, mirëpo klubi është plotësisht në anën e Solskjaerit.

Pasi e pësoi disfatën e tij të 12-të si trajner permanent i Manchester Unitedit, norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer mori përgjegjësi për rezultatin dhe e konfirmoi se klubi dëshiron ta përforcojë skuadrën me lojtarë të rinj, në mënyrë që të hiqet pak presioni nga lojtarët aktual të skuadrës.

Që kur 46-vjeçari u emërua trajner permanent, në mars të vitit 2019, në vend në Jose Mourinhos të shkarkuar, ai i ka fituar 19 ndeshje, i ka barazuar 11 dhe i ka humbur 15 në të gjitha garat.

Manchester Unitedi gjithashtu i ka humbur 18 pikë në 12 ndeshjet e fundit dhe i ka 11 pikë më pak sesa që i pati pas 24 ndeshjeve të zhvilluara në Premierligë sezonin e kaluar.

(Kosova Sot Online)