Trajneri i Serbisë: Maqedonia, favorite absolute kundër Kosovës

  • 23 January 2020 - 15:26
Trajneri i Serbisë: Maqedonia, favorite absolute kundër Kosovës

Trajneri i ekipit kombëtar të Serbisë, Ljubisa Tumbakovic, beson se Maqedonia Veriore jo vetëm që është favorite në gjysmëfinalen e play-offs kundër Kosovës, por edhe në finale kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Edhe pse s’e përmendi Kosovën, trajneri i Serbisë, Tumakovic, tha se ai e konsideron Maqedoninë Veriore favorite absolute në gjysmëfinale të play-offs.

“Natyrisht se unë do ta përkrah Bosnjën dhe Maqedoninë. Maqedonia është një skuadër që po rritet çdo ditë dhe, sipas mendimin tim, është favorite absolute në gjysmëfinale dhe pastaj kundër fitueses së duelit mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë”, ka thënë Tumbakovic, i cili u shkarkua vitin e kaluar nga posti i trajnerit të Malit të Zi, pasi që e bojkotoi ndeshjen e Grupit A të Evropianit kundër Kosovës, shkaku i prejardhjes së tij serbe.

Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në EURO 2020, ku tashmë është bërë e ditur se do të jetë në Grupin C. Megjithatë, nëse Rumania shpallet fituese e Rrugës të Ligës së kombeve, ku garon me Islandën, Bullgarinë dhe Hungarinë, atëherë Kosova do të zhvendoset në Grupin F, që është bërë i njohur si Grupi i Vdekjes.

Në Grupin C do të garojë Holanda, Ukraina, Austria dhe fituesi i Rrugës D të play-offs, që mund të jetë Kosova. Ndërsa në Grupin F radhiten Portugalia, Franca, Gjermania dhe fituesi i Rrugës A të play-offs.

Megjithatë, Kosova mund të zhvendoset nga Grupi C në Grupin F nëse Rumania e fiton Rrugën A të play-offs, pasi që Grupi C do të luhet në Bukuresht të Rumanisë dhe UEFA ka planifikuar që vendet nikoqire të këtij Evropiani të luajnë në vend të vet në ndeshjet e grupit nëse kualifikohen.

(Kosova Sot Online)