Juventusi bëhet gati ta shesë Emre Can, pas interesimit të Dortmundit

  • 23 January 2020 - 15:29
Juventusi bëhet gati ta shesë Emre Can, pas interesimit të Dortmundit

Emre Can raportohet se e ka të sigurt largimin nga Juventusi gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pasi që Borussia Dortmundi është duke e bërë gati një ofertë për ta blerë mesfushorin e padëshiruar në Allianz.

Emre Can i ka bërë vetëm tetë paraqitje gjithsej në Serie A për bardhezinjtë këtë sezon, pasi që e ka humbur vendin e tij në formacionin e parë nën trajnerin e ri Maurizio Sarri.

26-vjeçari e gjen veten pas lojtarëve si Miralem Pjanic, Rodrigo Bentancur, Adrien Rabiot dhe Blaise Matuidi në radhën për të luajtur, pasi që nuk i ka arritur pritshmëritë e krijuara për të pas transferimit të lirë nga Liverpooli në verën e vitit 2018.

Uebsajti Goal raporton se Juventusi është duke e pritur tani një ofertë zyrtare për Can nga Dortmundi, që thuhet se është klubi favorit për ta siguruar transferimin e mesfushorit, përkundër që për të është interesuar edhe Evertoni.

Kampioni në fuqi i Italisë është i gatshëm ta lejojë shitjen e përfaqësuesit gjerman gjatë këtij afati kalimtar të janarit, megjithatë vetëm nëse ndonjë klub pajtohet t’i paguajë 35 milionë euro për futbollistin.

Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici e kishte përjashtuar mundësinë e shitjes së Can më herët këtë muaj, duke insistuar se ai është pjesë e rëndësishme e projektit të klubit italian. Megjithatë, tani duket se ky qëndrim ka ndryshuar.

Can ishte lënë nga skuadra e Juventusit për Ligën e Kampionëve më herët këtë sezon dhe ky veprim i Sarrit kishte ngjallur dyshimet për të ardhmen e futbollistit në Allianz, përderisa vetë Can e kishte shprehur publikisht pakënaqësinë e tij.

Atij do t’i jepet më shumë mundësi për ta dëshmuar veten në Dortmund nëse dy klubet arrijnë marrëveshje para se të mbyllet afati kalimtar më 31 janar. Can e dëshiron këtë transferim me shpresën për të qenë pjesë e skuadrës së Gjermanisë në EURO 2020.

(Kosova Sot Online)