Tuchel i kundërpërgjigjet babait të Cavanit: PSG-ja e respekton futbollistin

  • 23 January 2020 - 15:52
Tuchel i kundërpërgjigjet babait të Cavanit: PSG-ja e respekton futbollistin

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, ka thënë se klubi s’ka mungesë respekti për Edinson Cavanin, pasi babai i sulmuesit uruguaian e akuzoi kampionin e Ligue 1 se po e trajtonte padrejtësisht djalin e tij.

Edinson Cavani ka kërkuar të largohet nga Paris Saint-Germaini pas interesimit të Atletico Madridit për të, përderisa ai është përfolur edhe për një transferim potencial në Chelsea.

“Na vjen keq që ai s’pati mundësi të jetë këtu me ne sot, ai nuk ndihej mirë shkaku i ijës së tij. Ne nuk kemi asnjë lajm të ri për situatën e tij, por nuk na mungon respekti për të”, tha Tuchel, pasi PSG-ja e mposhti Reimsin 3:0 në gjysmëfinale të Kupës së Ligës pa Cavanin.

Cavani, kontrata e të cilit me PSG-në përfundon këtë verë, i ka bërë vetëm 14 paraqitje gjithsej këtë sezon, pas ardhjes së Mauro Icardit në formë huazimi nga Interi në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar.

Përkundër që ai ka qenë i përfolur edhe për një transferim në Chelsea, babai i 32-vjeçarit uruguaian ka thënë se futbollisti e preferon një transferim në Spanjë, pasi që i pëlqen projekti i Diego Simeones.

“Do të doja që ai të luante në Atletico, Simeone e do atë. Por, trajneri i PSG-së thotë se ka nevojë për të për të garuar në Ligën e Kampionëve”, tha babai i Cavanit, Luis, në një intervistë të dhënë për El Chiringuito.

“Mendoj se ka shumë mundësi që ai do t’i bashkohet Atleticos. E ka opsionin për të shkuar atje edhe në qershor. Ka shumë klube të interesuara për të, por kur ia jep fjalën një klubi, duhet ta respektosh atë”.

“Nëse atij i lejohet të largohet nesër dhe Atletico e dëshiron atë ende, mendoj se ai do të nënshkruajë menjëherë kontratë me ta”.

“Ai është një lojtar që ka nevojë për më shumë minuta lojë dhe për momentin ai ka luajtur vetëm nga katër apo gjashtë minuta në ndeshje. PSG-ja po e trajton padrejtësisht”.

(Kosova Sot Online)