Edhe Man Unitedi interesohet për Cavanin

  • 24 January 2020 - 10:52
Edhe Man Unitedi interesohet për Cavanin

Manchester Unitedi është duke e shqyrtuar me kujdes opsionin për ta transferuar Edinson Cavanin nga Paris Saint-Germaini, përkundër që gara për transferimin e uruguaianit këtë muaj është mjaft e zjarrtë, shkaku i interesimit edhe të Atletico Madridit e Chelseat.

Drejtuesit e Manchester Unitedit thuhet se i kanë disa rezerva për transferimin e Edinson Cavanit, pasi që nuk duan t’i bëjnë të njëjtat gabime që i kishin bërë kur e transferuan Alexis Sanchezin nga Arsenali.

Deri më tani, Atletico Madridi dhe Chelsea po e kryesojnë garën për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit Cavani, i cili ia ka kërkuar PSG-së largimin, shkaku i minutave të paktë të lojës këtë sezon.

Prindërit e uruguaianit kanë sugjeruar se futbollisti do të preferonte të shkonte në Atletico Madrid.Por përderisa kjo nuk e ka dekurajuar Chelsean, klubi londinez po heziton t’i paguajë 12.6 milionë funtet që PSG-ja po i kërkon për Cavanit, të cilit kontrata i mbaron në fund të këtij sezoni.

Se a do të hyjë Manchester Unitedi zyrtarisht në këtë garë mbetet të shihet, pasi që drejtuesit e klubit janë duke e shqyrtuar këtë mundësi, pas kërkesës së trajnerit Ole Gunnar Solskjaer për një sulmues.

Manchester Unitedi kishte planifikuar ta transferojë sulmuesin norvegjez Erling Haaland, mirëpo ai e zgjodhi Borussia Dortmundin. Pasi që Marcus Rashfordi pritet të mungojë deri në fund të sezonit, Djajtë e Kuq kanë nevojë për përforcime në repartin e sulmit. 

(Kosova Sot Online)