Laura Fazliu mposhtet nga rusja Valkova, Kosova mbetet me një medalje në Grand Prix Tel Aviv

  • 24 January 2020 - 12:00
Laura Fazliu mposhtet nga rusja Valkova, Kosova mbetet me një medalje në Grand Prix Tel Aviv

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka pësuar disfatë në rundin e dytë të kategorisë deri në 63 kilogramë në Grand Prix Tel Aviv, pasi u mposht me ippon nga rusja Ekaterina Valkova.

19-vjeçarja Laura Fazliu e mbylli rrugëtimin e saj të parë në një Grand Prix për seniorë në rundin e dytë, duke bërë që Kosova të mbetet vetëm me medaljen e bronztë të Nora Gjakovës nga Grand Prixi i Izrealit.

Xhudistja kosovare e kishte kaluar rundin e parë pa luftë, falë shortit, ndërsa në rundin e dytë u përball me rusen 28-vjeçare Valkova, e cila rezultoi të jetë shumë e fortë për të.

Dy xhudistet nuk ishin përballur asnjëherë më parë mes vete, mirëpo përvoja ishte në anën e ruses e cila i ka zhvilluar plot 139 përballje në karrierë (7 fitore, 62 humbje) në krahasim me 53 përballjet e Fazliut (34 fitore, 19 humbje).

Valkova radhitet e 63-ta në ranglistën botërorë, ndërsa kosovarja e 75-ta. Përkundër këtyre epërsive të ruses në letër, Fazliu nuk ia bëri asaj aspak të lehtë përballjen, duke e çuar luftën në Golden Score.

Laura Fazliu ishte xhudistja e fundit që garoi nga Kosova në Grand Prixin e Tel Avivit. Dje kishin garuar edhe Flaka Loxha e Erza Muminoviq, të cilët e mbyllën garën pa medalje, përderisa Nora Gjakova e mori të bronztën në kategorinë deri në 57 kilogramë.

(Kosova Sot Online)