Solskjaer – tifozëve të Unitedit: Kur e rrëzon shtëpinë, s’ia nis me çatinë

  • 24 January 2020 - 12:13
Solskjaer – tifozëve të Unitedit: Kur e rrëzon shtëpinë, s’ia nis me çatinë

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i ka lënë tifozët e Djajve të Kuq të hutuar me deklaratat e tij të fundit, ku tha se Manchester Unitedi është duke e rindërtuar skuadrën, por se “nuk mund ta rrëzojë shtëpinë duke ia nisur nga çatia”.

Manchester Unitedi do të niset për në Prenton Park për ndeshjen e FA Cup kundër Tranmeren të dielën pas dy disfatave me rezultat 2:0 radhazi – kundër Liverpoolit në Anfield dhe Burnleyt në Old Trafford.

Presioni është shtuar mbi trajnerin norvegjez pas këtyre rezultateve të dobëta. Edhe pse bordi i Manchester Unitedi raportohet se ende e përkrah Solskjaerin dhe s’e ka në plan ta shkarkojë atë, BBC sugjeroi të enjten se ndeshja e radhës mund të rezultojë të jetë e fundit për të si trajner i Djajve të Kuq.

Ndërkohë, në konferencën para ndeshjes të kësaj fundjavë, Solskjaer ka insistuar se klubi është duke punuar në rindërtimin e skuadrës dhe ka thënë se e kupton zemërimin e tifozëve.

“Është e kuptueshme që nganjëherë tifozët e shprehin zemërimin e tyre dhe javën e kaluar ne i patëm dy rezultate zhgënjyese. Kjo me siguri ka ndikuar në ekzagjerimin e ndjenjave të tyre”, ka thënë Solskjaer.

“Por, në këtë klub duhet të mësohesh me këto gjëra – me të mirat dhe të këqijat. Duhet të vazhdojmë përpara edhe kur e dimë se kemi bërë punë të dobët, por s’mund të dorëzohemi”.

“Mendoj se tifozët e kanë kuptuar se çfarë kemi nisur këtu. Mua më është dhënë besimi ta bëj këtë punë dhe rindërtimi i skuadrës nuk shkon vetëm në një kah gjatë gjithë kohës. Ne po bëjmë punë të mrekullueshme, e kam thënë këtë plot herë”.

“Kur ke nevojë ta rrëzosh një shtëpi, nuk ia fillon me çatinë. Ne i kemi pasur disa ditë me shi dhe do të donim ta kishim pasur atë çati. Por, s’mund të fshihemi”.

“Jurgen Kloppi i kaloi katër vjet duke e rindërtuar skuadrën e tij dhe tani Liverpooli është në formë shumë të mirë. Nuk do të jetë një përmirësim që vjen shpejt. Do të ketë kritika, por do t’i marrim. Ne po i qëndrojmë besnik asaj që i besojmë dhe unë kam përkrahje të plotë”. 

(Kosova Sot Online)