Federer triumfon në duelin dramatik kundër Millman

  • 24 janar 2020 - 15:36
Federer triumfon në duelin dramatik kundër Millman

Gjashtë-herë kampioni i Australian Open, Roger Federer, i mbijetoi luftës së zjarrtë të australianit John Millman në ndeshjen e rundit të katërt dhe e siguroi fitoren pas pesë seteve lojë për të kaluar në 1/8 e finales.

Zvicerani, që radhitet i treti në ranglistën botërore, fitoi me vështirësi në pesë sete, 4-6 7-6 (7-2) 6-4 4-6 7-6 (10-8), në një ndeshje argëtuese që zgjati katër orë e tre minuta.

38-vjeçari Federer kishte qenë duke humbur 8:4 në “tie-break”-un vendimtar, mirëpo i fitoi gjashtë pikë radhazi për të kaluar në rundin e radhës. Kjo ishte fitorja e 100-të për Federerin në Australian Open.

Ai është i vetmi tenist që ka arritur t’i shënojë 100 fitore në dy turne të ndryshme Grand Slams. Ai e përmirësoi rekordin e tij në Ëimbledon vitin e kaluar, duke i regjistruar 101 fitore dhe 13 disfata.

“Oh Zot, ishte e vështirë. Falë Zotit ishte një “super tie-breaker”, përndryshe do ta kisha humbur këtë ndeshje. Ku t’ia filloj? Mendoj se Johni ishte i mrekullueshëm. Ai është një luftëtar fantastik dhe një djalosh i mirë. Mua më duhej të qëndroja i përqendruar dhe t’i merrja vendimet e duhura”, tha Federer, pas ndeshjes.

Tani, ai do të përballet me hungarezin Marton Fuscovics në rundin e katërt, 1/8 e finales.

(Kosova Sot Online)