Tifozët e Man Unitedit planifikojnë dalje masive nga Old Traffordi në protestë ndaj pronarëve të klubit

  • 25 January 2020 - 08:19
Tifozët e Man Unitedit planifikojnë dalje masive nga Old Traffordi në protestë ndaj pronarëve të klubit

Tifozët e Manchester Unitedit, të zemëruar me pronarët e klubit dhe me mënyrën se si klubi po menaxhohet nga drejtori ekzekutiv Ed Woodward, janë duke planifikuar të largohen në mënyrë masive nga Old Traffordi në shenjë proteste.

Shkaku i rezultateve të dobëta dhe mënyrës se si klubi është drejtuar gjatë sezoneve pas pensionimit të Sir Alex Fergusonit, tifozët kanë organizuar protestë për ndeshjen kundër Wolves më 1 shkurt, kur planifikojnë të dalin në mënyrë masive nga stadiumi në minutën e 58-të të ndeshjes.

Kjo ndeshje e shënjon përvjetorin e tragjedisë ajrore të Munihut, që ndodhi në vitin 1958. Për këtë arsye, për të pasur ndikim sa më të madh, organizatorët kanë planifikuar që protesta të mbahet në minutën e 58-të të ndeshjes.

Organizatorët po shpresojnë se kësaj iniciative të Manchester Unitedit do t’u bashkohen edhe mijëra tifozë, të cilët do të duhet t’i lënë ulëset e tyre të zbrazëta, si shenjë simbolike për fuqinë e tifozëve kundër familjes amerikane Glazers, që e ka pronësinë e klubit dhe e ka drejtuar atë në mënyrë kontroverse.

Tifozët e Manchester Unitedit e arritën kulmin e pakënaqësisë në disfatën me rezultat 2:0 në shtëpi kundër Burnleyt të mërkurën, që ishte hera e parë që Clarets siguruan fitore në Old Trafford në 58 vjetët e fundit.

Old Traffordi kishte mbetur pothuajse i zbrazur edhe në minutat e fundit të asaj ndeshjeje të mesjavës, pasi që mijëra tifozëve vendosën të largohen gjatë minutave të 80-ta për ta shprehur pakënaqësinë me gjendjen e klubit.

Tifozët kënduan këngë kundër Glazers dhe kërkuan që Woodwardi të shkarkohet. Kjo pakënaqësi e tifozëve pritet të vazhdojë të shprehet edhe në ndeshjet në vazhdim – atë në FA Cup kundër Tranmere, atë në Carabao Cup kundër Manchester Cityt dhe atë në Premierligë kundër Wolves.

Familja Glazers ka qenë e urryer nga tifozët e Manchester Unitedit që kur e mori pronësinë e klubit anglez në vitin 2005, pasi që i ka marrë mbi 1 miliard funte nga klubi, në 15 vitet e fundit, për vete, përderisa pronarët e klubeve të tjera të mëdha nuk marrin para nga klubet e tyre. 

(Kosova Sot Online)