Pritet largimi i Carles Perezit nga Barcelona këtë muaj

  • 25 January 2020 - 11:59
Pritet largimi i Carles Perezit nga Barcelona këtë muaj

Sulmuesi Carles Perez raportohet se është afër arritjes së një marrëveshjeje për t’u larguar nga Barcelona gjatë këtij afati kalimtar të janarit dhe mund të kalojë në Serie A te Roma.

Disa mediume spanjolle – si Marca, Onda Cero dhe Sport – janë duke raportuar se trajneri i ri Quique Setien ia ka bërë të qartë 21-vjeçarit se nuk është pjesë e planeve të tij dhe i ka thënë ta gjejë një klub të ri.

Gazetarët e famshëm sportiv, Gianluca Di Marzio dhe Fabrizio Romano, shkojnë edhe një hap më tutje dhe thonë se Perez është duke e negociuar transferimin në Romë dhe tani është vetëm në pritje të dritës së gjelbër nga Barcelona.

Këto lajme i kanë befasuar disa tifozë të Barcelonës, pasi që Perez luajti në dy ndeshjet e para të Setienit si trajner i Barcelonës, kundër Granadas dhe Ibizas.

Barcelona ka gjithashtu mungesë të madhe në repartin e sulmit, pasi që Luis Suarez do të mungojë katër muaj shkaku i lëndimit të tij dhe Ousmane Dembele nuk do të të kthehet deri në shkurt.

Megjithatë, Perez është lënë jashtë skuadrës së Setienit për ndeshjen e së shtunës në Valencia dhe duket se ai së shpejti s’do të jetë më fare pjesë e kësaj skuadre. 

(Kosova Sot Online)