Agjenti i Pogbas: Tifozët e Juventusit duhet ta ëndërrojnë kthimin e Pogbas

  • 25 January 2020 - 14:58
Agjenti i Pogbas: Tifozët e Juventusit duhet ta ëndërrojnë kthimin e Pogbas

Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola, i ka komentuar spekulimet për të ardhmen e mesfushorit francez të Manchester Unitedit, duke insistuar se tifozët e Juventusit duhet ta ëndërrojnë kthimin e futbollistit në Torino.

Paul Pogba kishte bërë emër pasi kishte dalë nga akademia e Manchester Unitedit, para se t’i bashkohej Juventusit si adoleshent në vitin 2012, ku i kaloi katër vjetët e ardhshme të karrierës së tij.

Francezi u bë i njohur si njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë gjatë kohës së tij në Allianz Arena, pasi që e ndihmoi Juventusin ta fitojë katër herë radhazi titullin e Serisë A, përderisa luajti rol kyç edhe në rrugëtimin e bardhezinjve deri në finale të Ligës së Kampionëve 2015.

Ai u kthye sërish në Manchester United një vit më vonë, në vitin 2016, për 89 milionë funte. Megjithatë, që nga atëherë ai s’ka arritur të performojë vazhdimisht në nivelin që e kishte treguar me Juventusin.

Pogba kishte qenë i përfolur për një largim nga Old Traffordi gjatë verës së kaluar, mirëpo trajneri Ole Gunnar Solskjaer e bindi atë të qëndrojë për sezonin 2019/20, që deri më tani ka qenë më irrituesi për të me fanellën e Djajve të Kuq.

26-vjeçari ka luajtur në vetëm tetë ndeshje deri më tani, duke munguar në shumicën e ndeshjeve të sezonit për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës. Ende nuk dihet se kur do të kthehet ai nga ky lëndim, për të cilët u desh të bëhej operacion.

Real Madridi besohet se ishte interesuar më së shumti për transferimin e Paul Pogbas nga Manchester Unitedi gjatë verës së kaluar, megjithatë ishte përfolur edhe për një kthim të mundshëm të tij në Allianz.

Agjenti i tij, Raiola, i ka shtuar tani këto spekulime edhe më shumë me deklaratën e tij të fundit, të dhënë për gazetën italiane Tuttosport.

“Tifozët e Juventusit duhet të ëndërrojnë sepse nëse s’e bëjnë, atëherë je i vdekur. Unë nuk punoj në ëndrra, por në botën e vërtetë për t’i bërë zgjedhjet e duhura për klientët e mi. Tani nuk është koha për të folur për të ardhmen e Paulit”, ka thënë Raiola.

Në mungesë të Pogbas, Manchester Unitedi ka mbetur 33 pikë prapa liderit të tabelës së Premierligës, Liverpoolit, dhe radhitet në pozitën e pestë. 

(Kosova Sot Online)