E konfirmon drejtori i Interit: Marrëveshja për Eriksenin mbyllet së shpejti

  • 26 January 2020 - 12:54
E konfirmon drejtori i Interit: Marrëveshja për Eriksenin mbyllet së shpejti

Drejtori ekzekutiv i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se marrëveshja me Tottenhamin për mesfushorin Christian Eriksen do të mbyllet së shpejti dhe danezi do të vishet zikaltër.

Përfaqësuesi i Danimarkës do të jetë lojtar i lirë më 30 qershor, prandaj Interi po shpresonte ta blinte atë për një çmim goxha më të ulët se 20 milionë euro sa kërkon klubi anglez, duke e ditur se tashmë ka arritur marrëveshje me lojtarin,.

Megjithatë, sipas mediave të ndryshme, marrëveshja do të arrihet vetëm për 20 milionë euro – përfshirë bonuse – ndërsa e hëna apo e marta do të caktohen për testet mjekësore te Eriksen në Milano. 

Marotta konfirmoi se ka kohë që Interi është në bisedime me Tottenhamin për 27-vjeçarin.

“Nuk fshihemi, të gjithë e dini se ka kohë që jemi në bisedime me Tottenhamin. Kontrata e tij mbaron më 30 qershor, prandaj është e drejtë që ne të bisedojmë për gjashtë muajt e tij të mbetur”, tha Marotta.

“Ne jemi optimist dhe shpresojmë se marrëveshja do të arrihet sa më shpejt, duke ditur se afati kalimtar mbyllet të premten”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)