Trajneri i Sportingut, ende i pasigurt për të ardhmen e Bruno Fernandesit

  • 28 January 2020 - 08:59
Trajneri i Sportingut, ende i pasigurt për të ardhmen e Bruno Fernandesit

Trajneri i Sporting Lisbonës, Silas, nuk mund ta konfirmonte nëse lojtari i tij i kërkuar nga Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, e luajti ndeshjen e tij të fundit për klubin portugez të hënën.

I përfolur për një transferim të mundshëm në Manchester United këtë muaj, Bruno Fernandes mbetet në Lisbonë përkundër spekulimeve të vazhdueshme. Ai madje ishte kapiten i Sportingut në fitoren 1:0 kundër Maritimos.

Mesfushori ishte përfolur për këtë transferim potencial në Manchester United edhe gjatë verës së kaluar dhe spekulimet s’janë ndalur qysh nga atëherë. Tani ato janë intensifikuar për shkak të merkatos së janarit.

Manchester Unitedi dhe Sportingu raportohet se janë ende duke tentuar ta arrijnë një marrëveshje para se të mbyllet ky afat kalimtar, ndërsa Silas s’mund të konfirmonte asgjë për këto negociata.

“Nuk mund ta konfirmoj nëse kjo ishte ndeshja e fundit e Fernandesit. Do të më pëlqente shumë që ai të qëndronte”, ka thënë Silas, në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Për momentin nuk e di nëse ai do të qëndrojë apo jo, por do të doja të llogaris në të deri në fund të sezonit. Bruno është një lojtar ndryshe nga të tjerët, ai sheh gjëra që të tjerët s’i shohin.”

(Kosova Sot Online)