“Momente të adhurueshme” – Kobe Bryant e kaloi ditën e fundit duke luajtur me vajzën trevjeçare

  • 28 janar 2020 - 11:28
“Momente të adhurueshme” – Kobe Bryant e kaloi ditën e fundit duke luajtur me vajzën trevjeçare

Legjenda e basketbollit Kobe Bryant e kishte kaluar ditën e së shtunës duke luajtur me vajzën e tij trevjeçare Bianka, vetëm disa orë para vdekjes së tij tragjike.

Mediumi amerikan TMZ Sports publikoi pamje të 41-vjeçarit duke shpenzuar kohë me Biankan në qendrën tregtare Fashion Island në Newport Beach, disa orë para vdekjes së tij tragjike. Ai ishte duke luajtur me vajzën e tij dhe kishin shëtitur nëpër disa dyqane për fëmijë. Videon mund ta shikoni duke klikuar këtu.

Bryant dilte shpeshherë në këso lloj takimesh me vajzat e tij, pasi që dëshironte të kalonte sa më shumë kohë me to për të formuar një lidhje më të mirë si prind me ato. Për këtë arsye, TMZ shkruan se s’është e çuditshme që Kobe e kishte bërë pikërisht këtë gjë edhe të shtunën.

“Ata dukeshin të adhurueshëm së bashku – thjesht e shijonin shoqërinë e njëri-tjetrit. Por, tani pamjet e atyre momenteve janë shumë të dhimbshme për t’i parë… duke e ditur se kanë qenë momentet e fundit të një takimi të tillë mes Biankas dhe babait të saj”, kanë thënë dëshmitarët për TMZ Sports.

Bryant, i cili vdiq bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Giannas dhe shtatë njerëz të tjerë që po udhëtonin me helikopterin që u rrëzua, e ka lënë prapa vetes gruan e tij 37-vjeçare Vanessan, dhe tri vajzat – 17-vjeçaren Natalia, trevjeçaren Bianka dhe Caprin, e cila lindi në qershor të vitit të kaluar.

Ndërkohë, hetimet për shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë duke vazhduar ende. Radari sugjeroi se helikopteri e kishte arritur lartësinë prej 701 metrave të dielën në mëngjes, para se të rrëzohej. Rrënojat e helikopterit u gjetën në lartësinë prej 331 metrave, sipas Jennifer Homendy nga Bordi Kombëtar për Siguri në Transport (NTSB).

Hetuesit e NTSB-së shkuan në vendin ku gjenden rrënojat e helikopterit në Calabasas për të grumbulluar dëshmi.

Disa ekspertë sugjeruan se piloti mund të jetë hutuar shkaku i mjegullës, mirë Homendy ka thënë se ekipet hetuese do të kërkonin gjithçka për ta gjetur shkakun: nga historia e pilotit deri te motorët e helikopterit.

“Piloti u kishte kërkuar kontrolluesve të trafikut ajror t’i ofrohej ndjekje përmes ndihmës së radarit para se ta fillonte ngjitjen, mirëpo atij i ishte thënë se aeroplani ishte shumë ulët për ta marrë këtë ndihmë”, ka thënë Homendy.

“Pas rreth katër minutave, piloti tregoi se ata ishin duke u ngjitur për t’iu shmangur një shtrese resh. Kur kontrolluesit e trafikut ajror e pyetën se çfarë po planifikonte të bënte, nuk morën përgjigje. Të dhënat nga aradari sugjerojnë se helikopteri u ngjit në 701 metra lartësi dhe pastaj filloi të kthehej në të majtë. Kontakti i fundit me radar ishte rreth orën 9:45”.

Dy minuta më vonë, dikush përreth asaj zone e kishte telefonuar policinë për ta raportuar helikopterin e rrëzuar.

Shumë ekspertë e kanë vënë në dyshim nëse helikopteri duhej edhe të ishte nisur, pasi që kishte shumë mjegull atë ditë, aq sa vetë departamenti i policisë kishte vendosur të mos kishte kontrollime me helikopterë.

(Kosova Sot Online)