Presidenti i UEFA-s e lavdëron Kobe Bryant për luftën e tij kundër racizmit

  • 28 January 2020 - 14:08
Presidenti i UEFA-s e lavdëron Kobe Bryant për luftën e tij kundër racizmit

Legjenda e basketbollit Kobe Bryant ishte tifoz i madh i futbollist dhe ai e kishte theksuar disa herë nevojën për edukim në luftën kundër racizmit. Iniciativat e tilla të Kobe Bryant mbeten ende në kujtimet e presidentit të UEFA, Aleksander Ceferin.

Përderisa bota po e vuan vdekjen tragjike të Kobe Bryant – i cili ndërroi jetë bashkë me tetë persona të tjerë që po udhëtonin me një helikopter që u rrëzua të dielën – presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e përshkroi basketbollistin si shembull për luftën kundër racizmit në sport.

“Nuk e kam njohur personalisht Bryantin, mirëpo gjithashtu jam mahnitur nga fakti që ai kurrë nuk i është shmangur luftës kundër racizmit dhe e ka bërë të qartë qëndrimin e tij. Kjo e ka bërë atë shembull edhe për yjet e mëdhenj të sporteve të tjera”, ka thënë Ceferin.

“Është e pamundur të mos e kuptosh dhimbjen që familja e tij po e përjeton në këto momente. Bota e sportit qëndron e bashkuar në mbështetjen për ta”.

Ceferin i theksoi komentet e Bryant më 16 janar për incidentet e fundit të racizmit në futboll, përfshirë këtu në Itali që ishte shtëpia e tij nga mosha gjashtë deri në 13-vjeçare. Në një intervistë për CNN, Bryant e kishte theksuar rolin kritik të edukimit në luftën kundër racizmit në mesin e tifozëve të futbollit.

“Kemi gjithmonë për edukim dhe ta kuptojmë se racizmi është diçka që ka qenë pjesë e kulturës tonë për një kohë. Edhe tani, edhe pse jemi përmirësuar shumë në këtë aspekt, ende kemi shumë për të bërë dhe mendoj se edukimi është gjithmonë gjëja më e rëndësishme”, kishte thënë Bryant.

“Përderisa po rritesha në Itali, natyrisht e kisha përjetuar vetë racizmin duke shkuar në disa ndeshje të futbollit. Prindërit e mi më mësuan dhe më edukuan se di t’i menaxhojë këto gjëra”. 

(Kosova Sot Online)