Djokovic e mposht Raonicin dhe kalon në gjysmëfinale kundër Federerit

  • 28 January 2020 - 14:32
Djokovic e mposht Raonicin dhe kalon në gjysmëfinale kundër Federerit

Kampioni në fuqi Novak Djokovic e siguroi vendin në gjysmëfinale të Australian Open kundër Roger Federerit, pasi e mposhti kanadezin Milos Raonic me një paraqitje mbresëlënëse.

Tenisti i radhitur i dyti në ranglistën botërore e mposhti me lehtësi Raonicin në tre sete 6-4 6-3 7-6 (7-1), përkundër që pati probleme me syrin e tij gjatë setit të tretë, të cilin e fitoi me “tie-break”.

Serbi, i cili po e synon titullin e tetë të këtij turneu në Melburn, e ka humbur vetëm një set deri më tani në këtë edicion të Australian Open, duke e bërë të qartë formën e tij të mirë aktuale.

32-vjeçari do të takohet me zviceranin Federer, i cili është i radhitur në pozitën e tretë në ranglistën botërore, në gjysmëfinalen e së enjtes.

“Ai është njëri ndër legjendat më të mëdhenj të të gjitha kohëve dhe ndeshjet kundër tij dhe Rafael Nadalit më kanë bërë lojtarin që jam sot”, ka thënë Djokovic, i cili i ka pësuar vetëm tre humbje në Melbourne Park gjatë dekadës së fundit.

“Shpresoj ta kem mundësinë të paktën një herë të luaj për një pikë që ta fitoj ndeshjen e pastaj le të fitoj lojtari më i mirë”. 

(Kosova Sot Online)