Si ndihmoi Kobe Bryant në tentimin e NBA për ta sunduar botën

  • 28 January 2020 - 16:07
Si ndihmoi Kobe Bryant në tentimin e NBA për ta sunduar botën

NBA ka pasur shumë yje, mirëpo jo aq shumë ikona globale të nivelit të Kobe Bryant, karriera e të cilit u përputh ne zgjerimin ndërkombëtar të ligës.

Gjatë karrierës së tij dydekadëshe në NBA, Kobe Bryant, u bë shumë më shumë sesa vetëm një basketbollist i jashtëzakonshëm. Bryant, i cili vdiq të dielën afër Los Angeles shkaku i rrëzimit të helikopterit, ishte kyç në tentimet e ligës amerikane për ta shpërndarë perandorinë përtej SHBA-së, shkruan New York Times.

I rritur në Itali për shtatë vjet gjatë fëmijërisë së tij, Bryant ishte i rrjedhshëm në italisht dhe ishte i përsosur për ligën e cila e konsideronte basketbollit si sport global, që kur David Stern u bë komisionar i NBA në vitin 1984. Epiteti i Bryan si yll ndërkombëtar, i promovuar edhe nga NBA e edhe nga NIKE, u bë i qartë gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike 2008 në Beijing. Aty, Bryant ishte rrethuar nga atletët e tjerë të cilët i kërkonin autografe dhe fotografi në fushën e stadiumit Olimpik. Kjo pasi që Kobe konsiderohej njëri ndër sportistët më të mirë të botës.

Për këtë arsye, ishte e përshtatshme që, të dielën, nderimet për Bryant vërshyen nga rreth e përqark botës.

Luca Veccho, kryetari i qytetit Reggio Emilia ku familja Bryant kishte jetuar – e postoi një mesazh në Facebook për nder të yllit amerikan. “Kobe Bryant u rrit këtu dhe, për të gjithë ne, ai ishte nga Reggio Amilia. Ai na la sot. Një legjendë e basketbollit, të cilin qyteti ynë do ta mbajë mend përgjithmonë me dashuri dhe mirënjohje”.

Kur Bryant u bë pjesë e NBA në vitin 1996, përvoja e tij e të jetuarit jashtë SHBA-së ishte diçka e rrallë në ligë. Kjo ishte epoka para se yjet si Yao Ming i Kinës dhe Dirk Nowitzki i Gjermanisë e lanë gjurmën e tyre në këtë ligë. Por, ngritja e Bryant u përputh me fillimin e përdorimit të teknologjisë së re. NBA sapo filloi ta shfrytëzonte fuqinë e videove digjitale dhe drita e saj filloi të shkëlqente nëpër shtëpitë e tifozëve kudo në botë, Tani, yjet e lindur jashtë SHBA-së – si Giannis Antetokounmpo, Joel Embiid, Luka Doncic – po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm.

“Kobe e nisi karrierën këtu në momentin ekzakt kur ne e bëmë ligën digjitale. Më duket se e lansuam NBA.com vitin kur Kobe erdhi në ligë. Ai i përqafoi të gjitha gjërat digjitale. Në Kinë, ai e kuptoi se mund të ishte virtualisht prezent në të gjithë botën duke prodhuar material për uebfaqet. Ai e pa këtë si mundësi për ta bërë veten universal”, ka thënë Adam Silver, komisionari i NBA.

Pasi që NBA ishte e uritur ta gjejë një fytyrë të re për ta përfaqësuar një ligë më diverse, pasi që Michael Jordan s’ishte më në kulmin e karrierës, Bryant bëri më shumë sesa cilido amerikan për ta plotësuar atë hapësirë të lënë bosh. Silver i referohet Bryantit si “lojtari me më së shumti udhëtime në epokën e tij”. Bryant madje e kishte shqyrtuar mundësinë të shkonte të luante në Itali, pasi klubet dhe NBA kishin ngecur në vitin 2011. Babai i tij, Joe Bryant, kishte luajtur në Itali pas karrierës tetëvjeçare në NBA.

“Italia është shtëpia ime”, kishte thënë një herë Bryant për gazetën italiane Gazzetta dello Sport. “Aty filloi ëndrra ime për të luajtur në NBA. Ky është vendi ku unë i mora mësimet bazike”.

“Gjuajtjet, pasimet dhe si të lëvizësh pa topin…. këto ishin gjërat që lojtarët e moshës time në SHBA nuk i dinin kur unë u ktheva, pasi që ata mendonin vetëm si të kërcenin më lart dhe si të ngulitnin”.

Stern, i cili vdiq më 1 janar, e bëri zgjerimi global qëllimin kryesor të ligës dhe e shqyrtoi mundësinë e vendosjes së disa skuadrave në Evropë. Bryant e kishte pranuar menjëherë rolin e tij si ambasador për basketbollin – si për interesin e ligës, ashtu edhe për vetin. Ai luajti dy herë në Lojërat Olimpike, fitoi medalje të arta në vitet 2008 dhe 2012. Në vitin 2018, ai u emërua, bashkua me Yaon, ambasador global për Kupën e Botës të FIBA-së, që u mbajt vitin e kaluar.

Matteo Zuretti, kryesuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare për unionin e lojtarëve të NBA, tha në një intervistë se vetëm loja dominuese e Bryant e ndihmoi ligën t’i inkurajojë më shumë të rinj të huaj të futen në këtë sport. Embiid, i cili hyri në NBA nga Kameruni në vitin 2014, shkroi në Twitter pas vdekjes së Bryant se ai kishte filluar të luante basketboll për shkak të Bryant pasi i kishte shikuar finalet e NBA 2010. “Unë kurrë nuk kisha shikuar basketboll më parë dhe ato finale ishin pika e kthimit për mua”, shkroi Embiid.

“Kur je lojtar ndërkombëtar dhe qëndron deri në orën katër të mëngjesit për ta shikuar idhullin tënd duke luajtur, ti e krijon një lidhje të veçantë. Kobe ishte shumë relevant për njerëzit në Los Angeles. Por, për një gjeneratë të lojtarëve ndërkombëtar, ai ishte fituesi dhe idhulli”, ka thënë Zuretti.

Por, ndikimi i Bryant nuk është askund më i dukshëm sesa në Azinë Lindore, në veçanti në Kinë, ku Bryant, si njëri ndër personalitetet kryesore të Nike, e kishte vazhdimisht numrin më të lartë të shitjeve të këpucëve dhe fanellave. Fama e Bryant dhe NBA në Kinë u rrit për shkak të kalimit të Yao në Houston Rockets në vitin 2002, kur Bryant ishte në kulmin e karrierës, pasi e fitoi për herë të tretë kampionatin e NBA.

“Kobe e pa se sa e madhe po bëhej NBA në Kinë. Mendoj se Kobe e kuptoi se kjo gjë ishte prodhim i kohës së tij”, tha Silver.

Deri atëherë, Bryant ishte bërë vizitor i rregullt i vendit për kampe të basketbollit dhe promovime e reklama. Ai mbeti i famshëm në Kinë përmes reklamave, si ajo për Sprite në vitin 2011 me yllin nga Tajvani, Jay Chou. Pasi Stephen Curryt, ylli i Golden State Warriors, e kaloi Bryantin për shitje të fanellave në Kinë në vitin 2017 – zyrtari i Golden State Rick Ëelts tha për USA Today se Curri e kishte arritur këtë duke marrë mësime nga Kobe Bryant.

Nike e përshpejtoi zgjerimin në tregun kinez në vitet e 2000-ta dhe Bryant u bë fytyra kryesore e tyre kur e filloi partneritetin me kompaninë në vitin 2003. Kina ka qenë njëra ndër tregjet më të mëdha të Nike jashtë SHBA-së tash e shumë vite, që nga atëherë.

Cui Tiankai, ambasadori kinez në SHBA, e lëshoi një deklaratë në Twitter të hënën, në mirënjohje të Bryant. “I mërzitur nga humbja tragjike e Kobe Bryant. Ai ishte frymëzim për shumë njerëz dhe legjendë e gjeneratës së tij. Ai do të mbahet mend gjithmonë për kontributin e tij në botën e sportit dhe për shkëmbimet mes Kinës dhe SHBA-së. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tyre dhe familjet e viktimave të tjera”.

Bryant ishte gjithashtu i famshëm në Filipine, ku ai i kishte bërë disa vizita. Basketbolli ndiqet me entuziazëm pothuajse fetar atje, gjë që ka filluar që nga vitet e 1800-ta. Të hënën. Një gazetar i ESPN e publikoi një fotografi në Twitter, ku shihej se muret e një fushë të famshme basketbolli në Manila, të njohur si “The Tenement” po mbulohej nga një mural të Kobe Bryant dhe vajzës së tij Gianna, që gjithashtu vdiq nga ky aksident. Në qytetin e Valenzuelas, disa orë para vdekjes së Bryant, ishte inauguruar një fushë basketbolli për nder të Bryant, e quajtur “House of Kobe” (shqip. Shtëpia e Kobe-t) dhe tani ky është bërë vend përkujtues për Bryant dhe është mbushur me lule me letra nga tifozët.

Silver kishte thënë se kishte diçka shumë universale te Bryant. Kjo mund të ketë qenë vullneti i tij për ta përqafuar teknologjinë dhe sfondin e tij evropian, mirëpo ndoshta mund të ketë qenë edhe konkurrenca e pangopshme e Bryant.

Silver e theksoi një moment mes Bryant dhe yllit slloven të Dallas Mavericks, Luka Doncicit, në dhjetor në Staples Center. Doncic ishte duke e rinisur lojën kundër Los Angeles Lakers kur Bryant, i cili ishte ulur përreth fushës, i tha diçka që e shpërqendroi basketbollistin. Pas ndeshjes, Doncic u kishte thënë gazetarëve se kishte mbetur i befasuar që e kishte dëgjuar Bryantin duke i folur atij në gjuhën e tij amtare sllovene.


(Kosova Sot Online)