Pamje të reja nga rrëzimi i helikopterit të Kobe Bryant

  • 29 January 2020 - 08:56
Pamje të reja nga rrëzimi i helikopterit të Kobe Bryant

Fotografitë e reja nga rrëzimi i helikopterit të Kobe Bryant e dëshmojnë atë që po e thonë hetuesit e Bordit Kombëtar për Siguri në Transport – se nuk kishte mundësi të mbijetonte askush nga ky aksident, pasi që helikopteri u vu në flakë sapo u rrëzua.

41-vjeçari Kobe Bryant ndërroi jetë, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte u rrëzua në Kaliforni, të dielën, bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë. Këto fotografi u bënë nga një person që po shëtiste me biçikletën e tij afër vendit ku u rrëzua helikopteri rreth orës 9:45 të mëngjesit të dielën. Ai thotë se fotografitë i bëri në orën 9:49, do të thotë katër minuta pasi u rrëzua helikopteri. Në këto shihen edhe rrënojat nëpër të cilat po kërkojnë tani policët e Los Angelesit, të cilët e kanë rrethuar gjithashtu vendin e ngjarjes për të mos i lejuar personat e tjerë të afrohen.Ndërkohë, hetimet për shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë duke vazhduar ende. Radari sugjeroi se helikopteri e kishte arritur lartësinë prej 701 metrave të dielën në mëngjes, para se të rrëzohej. Rrënojat e helikopterit u gjetën në lartësinë prej 331 metrave, sipas Jennifer Homendy nga Bordi Kombëtar për Siguri në Transport.

Hetuesit e NTSB-së shkuan në vendin ku gjenden rrënojat e helikopterit në Calabasas për të grumbulluar dëshmi.

Disa ekspertë sugjeruan se piloti mund të jetë hutuar shkaku i mjegullës, mirë Homendy ka thënë se ekipet hetuese do të kërkonin gjithçka për ta gjetur shkakun: nga historia e pilotit deri te motorët e helikopterit.

“Piloti u kishte kërkuar kontrolluesve të trafikut ajror t’i ofrohej ndjekje përmes ndihmës së radarit para se ta fillonte ngjitjen, mirëpo atij i ishte thënë se aeroplani ishte shumë ulët për ta marrë këtë ndihmë”, ka thënë Homendy.

“Pas rreth katër minutave, piloti tregoi se ata ishin duke u ngjitur për t’iu shmangur një shtrese resh. Kur kontrolluesit e trafikut ajror e pyetën se çfarë po planifikonte të bënte, nuk morën përgjigje. Të dhënat nga aradari sugjerojnë se helikopteri u ngjit në 701 metra lartësi dhe pastaj filloi të kthehej në të majtë. Kontakti i fundit me radar ishte rreth orën 9:45”.

Dy minuta më vonë, dikush përreth asaj zone e kishte telefonuar policinë për ta raportuar helikopterin e rrëzuar.

Shumë ekspertë e kanë vënë në dyshim nëse helikopteri duhej edhe të ishte nisur, pasi që kishte shumë mjegull atë ditë, aq sa vetë departamenti i policisë kishte vendosur të mos kishte kontrollime me helikopterë.

(Kosova Sot Online )