Guardiola: Solskjaer do t’ia kthejë lavdinë Man Unitedit

  • 30 January 2020 - 14:39
Guardiola: Solskjaer do t’ia kthejë lavdinë Man Unitedit

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, se ai beson se Ole Gunnar Solskjaer është duke e drejtuar Manchester Unitedit në rrugën e duhur dhe se ai do t’ia kthejë lavdinë gjigantit anglez.

Të mërkurën, Ole Gunnar Solskjaer u bë trajneri i parë që e ka mposhtur Manchester Cityn e Pep Guardiolës dy herë në Etihad, duke e ndjekur fitoren e dhjetorit në Premierligën me fitoren 1:0 në Carabao Cup.

Manchester City kaloi tutje në finale falë fitores me rezultat 3:1 në xhiron e parë gjysmëfinale, mirëpo Guardiola pati mjaft shumë lëvdata për Solskjaerin dhe për skuadrën e tij, në konferencën pas ndeshjes.

“Më pëlqen shumë mënyra se si ata luajnë. Cilësia e skuadrës së tyre në fazën e sulmit është e mrekullueshme. Unë kam thënë edhe herën e kaluar kur humbëm në shtëpi, e kam ndjenjën se ata po tentojnë ta bëjnë atë që ua kërkon trajneri. Mendoj se po funksionon”, ka thënë Guardiola.

“Ata nuk kanë arritur ende ta mbajnë vazhdimisht këtë formë të mirë. Ndoshta në shtëpi ata do ta kenë të vështirë kundër skuadrave që mbrohen shumë. Mendoj se me kalimin e kohës do të kthehet në nivelin që Unitedi ishte për një kohë shumë të gjatë”.

Ndërkohë, të martën në mbrëmje, një grup prej 20 tifozëve të Manchester Unitedit u grumbulluan para shtëpisë së drejtorit ekzekutiv të klubit, Ed Woodwardit, dhe e xhiruan veten duke e sulmuar shtëpinë me fishekzjarrë dhe bombola gazi, transmeton Gazeta Express.

Ende nuk është raportuar për asnjë dëmtim serioz, pasi që Woodwardi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tij nuk ishin të pranishëm në shtëpi gjatë kohës kur ndodhi incidenti.

Klubi reagoi ndaj këtij incidenti duke thënë se dhuna e tillë është e papranueshme dhe se pjesëmarrësit në këtë incident do të dënohen duke u pezulluar përjetësisht nga Old Traffordi.

Ndërkohë – gjatë fitores së Unitedit 1:0 kundër Cityt në Etihad të mërkurën – disa tifozë ishin kapur nga kamerat duke bërë simbole të aeroplanëve drejt tifozëve të Manchester Unitedit, duke iu referuar tragjedisë së Munihut.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i dënoi të dyja këto veprime në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes.

“Nuk më pëlqen kjo gjë. Nuk më pëlqen çfarë ndodhi me Ed Woodwardin në shtëpi. Ne e shohim skuadrën e Manchester Unitedit, është shumë e mirë. Sinqerisht, është me të vërtetë e mirë”, ka thënë Guardiola.

“Kështu që ajo nuk është mënyra e duhur për t’i bërë gjërat. Ju po flisni për veprimet e tifozëve të Manchester Cityt, nuk e dija që ndodhi kjo. Nëse ka ndodhur, nuk është aspak gjë e mirë”.

Manchester City do të përballet me Aston Villan në Wembley më 1 mars, pas fitores me rezultat të përgjithshëm 3:2 kundër Manchester Unitedit në gjysmëfinale – përkundër që e humbi ndeshjen kthyese në Etihad me rezultat 1:0.

(Kosova Sot Online)