Tifozët e Man Unitedit e përkrahin tentimin për ta blerë Muriqin

  • 30 January 2020 - 15:17
Tifozët e Man Unitedit e përkrahin tentimin për ta blerë Muriqin

Tifozët e Manchester Unitedit kanë reaguar ndaj lajmit se klubi i tyre i preferuar ka bërë ofertë për ta transferuar sulmuesin kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqin. Shumica prej tyre e kanë mbështetur një transferim të tillë në llogaritë e tyre në rrjete sociale.

Dje u raportua në Turqi se Manchester Unitedi s’ishte dorëzuar në interesimin për Vedat Muriqin dhe se disa skautë nga Anglia janë duke e monitoruar situatën e tij në Fenerbahçe ende.

Tani, Fotosport raporton se pasi Manchester Unitedi bëri ofertë prej 25 milionë eurosh për Muriqin, zëvendëspresidenti i klubit turk, Semih Ozsoy, mbajti takim me agjentin e Muriqit, Haluk Canatar, dhe i kërkoi të mos flisnin për oferta për kosovarin.

Gjatë atij takimi, të dy palët u pajtuan se 25-vjeçari duhet të qëndrojë pjesë e gjigantit turk të paktën deri në fund të këtij sezoni, përderisa Fenerbahçe planifikon ta shesë atë gjatë afatit kalimtar të verës.

Kanarinat e Verdha e vlerësojnë futbollistin me 50 milionë euro, dyfishin e shumës që e ofroi Manchester Unitedi, pasi që dëshirojnë të përfitojnë nga shitja e kosovarit.

Pas lajmit për interesimin e Manchester Unitedit, tifozët e klubit anglez kanë reaguar në rrjetet sociale.

“Tani jam plotësisht e pajtimit që Unitedi ta blejë Vedat Muriqin. E ka një energji si të Khal Drogo (personazh në serinë Game of Thrones) dhe mund të shënojë me kokë. I mbani mend golat me kokë? Vetëm shpresoj të na zgjedhë neve para… Burnleyt”, shkroi Sarah Horrocks.

“Është i njëjtë me Lukakun. Luan me këmbën e majtë, i fuqishëm, i gjatë, por ka kontroll më të mirë. Pse po e kërkojmë atë?”, shkroi @krystrey.

“E shikova në Youtube. Duket si sulmues i shkollës së vjetër. Saktësisht ashtu siç na duhet neve për ta pasur edhe një opsion në sulm”, shkroi Sarah Horrocks.

“Silleni tani. Ai duket mbresëlënës. Jepjani Fenerbahces Lingardin në shkëmbim, ju lutëm”, shrkoi Julia Piotrowic.

“Mund të them me krenari se e kam parë duke luajtur në ndeshjet e Kosovës. Është djalosh i mirë”, shkroi @Cantona_kick7.

“Tani s’më intereson se a është Muriqi apo Muriambinho. Blijeni një sulmues, cilindo sulmues. Martial s’është mjaftueshëm i mirë. Gjithashtu, më pëlqen hunda e tij”, shkroi Paul Mogbolu.

Mediat turke kishin raportuar më herët se Fenerbahce e kishte refuzuar edhe një ofertë prej 28 milionë eurosh nga Burnley.

Muriqi i ka shënuar 13 gola në të gjitha garat gjatë këtij sezoni 2019/20 për klubin e Superligës turke dhe ai ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2023.

(Kosova Sot Online)